Kievi zgjohet nga bombardimet. Në Mariupol, rusët thirrje: Dorëzohuni ose vdisni

17/04/2022 11:46

Kievi të dielën u zgjua nga bombardimet ruse. Autoritetet vendase njoftuan se sulmet me raketa kishin dëmtuar infrastrukturën në zonën e Brovary, në periferi të Kievit.

Gjatë tre ditëve të fundit,  forcat ruse kanë goditur objektiva të ndryshme në kryeqytetin ukrainas dhe rajonin përreth tij megjithëse më herët pati një tërheqje të trupave të tyre nga Kievi.

Rusia po ashtu u ka dhënë një ultimatum ushtarëve në Mariupol për t’u larguar brenda ditës së dielë nga qyteti.

“Ulni armët dhe ne do iu kursejmë jetën”, ka paralajmëruar ushtria ruse duke iu ofruar atë që ajo e quan një rrugë shpëtimi.

Qyteti port i rrethuar të cilin udhëheqja ukrainase e ka përshkruar si “zemra e luftës”, ka qenë objekt i një sulmi shkatërrues gjashtë-javor nga forcat ruse.

Por të shtunën presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky paralajmëroi  se eliminimi i luftëtarëve ukrainas në Mariupol do t’i jepte fund bisedimeve me Moskën.

Qyteti i Mariupol ka një rëndësi të madhe për rusët, edhe pse gjeografikisht, zë vetëm një zonë të vogël në hartë, ai qëndron në rrugën e forcave ruse për në gadishullin e Krimesë.

Sigurimi i qytetit do t’i lejojë Rusisë të ndërtojë një urë tokësore nga Rusia në Krime dhe kjo do të ishte një sukses i madh strategjik dhe ushtarak për ta.

Mariupol  po ashtu është porti më i madh në rajonin e Detit Azov dhe shtëpia e një fabrike të madhe hekuri dhe çeliku.

Qyteti ishte gjithashtu një qendër kryesore eksporti për çelikun, qymyrin dhe misrin e Ukrainës. Humbja totale e tij do të ishte një goditje e madhe për atë që ka mbetur nga ekonomia e Ukrainës.

Ndërkohë, sulmet ruse  raportohet se po përshkallëzohen edhe  në Ukrainën lindore, si dhe në pjesë të tjera të jugut të vendit.

Top Channel