Incident me armë në kufirin greko-turk, një emigrante gjendet e vdekur    

17/04/2022 11:25

Policia greke me një njoftim në faqen e saj zyrtare ka njoftuar për një incident që ka ndodhur të shtunën në mbrëmje  në kufi me Turqinë.

Sipas këtij njoftimi në orën 20:50 në zonën e Evros në Soufli, pjesëtarët e Policisë së Repartit të Rojës Kufitare kanë lokalizuar një grup personash që hipnin në një gomone plastike nga bregu në tokën turke përballë me qëllim hyrjen e paligjshme në tokën greke nëpërmjet ujërave të lumit Evros.

Për të parandaluar këtë veprim ata  kanë përdorur elektrik dore dhe paralajmërime zanore  (“Policia – Kthehuni”), por në atë moment janë dëgjuar të shtëna nga ana e kundërt, drejtimi i të cilave nuk mund të përcaktohej për shkak të errësirë.

Për të siguruar integritetin fizik, efektivët e policisë greke kanë nxituar të fshihen nga plumbat , duke qëlluar me të shtëna paralajmëruese në ajër, ndërsa breshëritë nga ana e kundërt kanë vazhduar me  të njëjtin ritëm në drejtim të panjohur.

Kur varka mbërriti pranë bregut grek të lumit , pesë prej emigrantëve zbritën prej saj, ndërsa të tjerët u kthyen. Katër prej tyre janë hedhur në ujë dhe kanë arritur të mbërrijnë në breg duke notuar, ndërsa një grua ka mbetur në ujërat e lumit  dhe kur policia e ka nxjerrë me vështirësi, ka konstatuar se kishte vdekur nga një plagë me armë zjarri në pjesën e pasme të kraharorit të djathtë .

Pasi është çuar  për autopsi-nekropsi, sipas vlerësimit të mjekut, shkak i vdekjes ka qenë një e shtënë nga një distancë shumë e afërt (disa centimetra) me një armë të kalibrit të vogël.

Të mbijetuarit, mes tyre edhe një i mitur, u morën në pyetje  dhe rezultoi se kishin paguar 2000 euro për transportin e tyre drejt Athinës tek një rrjet trafikantësh në Stamboll.

Nuk është hera e parë që regjistrohen incidente në këtë pjesë të kufirit mes dy vendeve, të cilën shfrytëzojnë grupe trafikantësh të qenieve njerëzore. Organet greke akuzojnë ato turke, duke theksuar se ndihmojnë këto rrjete, ndërsa ka edhe akuza nga disa organizata humanitare për policinë greke që përdor në disa raste kthimin me forcë të emigrantëve (push -backs) akuzë që Greqia e kundërshton me forcë.

Top Channel