Gjermania godet serbët: pezullohen projektet në Republikën Srpska!

16/04/2022 12:20

Jo vetëm paralajmërime, por edhe veprim: Qeveria Federale e Gjermanisë vendosi të pezullojë përgatitjen e katër projekteve të infrastrukturës për entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, në shumën prej 105 milion euro, konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës për REL.

Informacioni iu përcoll kësaj ministrie nga Ambasada e Gjermanisë në Bosnje e Hercegovinë. Në letër thuhet se projektet do të pezullohen derisa të hiqen vendimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, të 10 dhjetorit 2021 dhe 10 shkurtit 2022, si dhe deri në përfundimin e bllokadës aktuale të institucioneve shtetërore.

Bëhet fjalë për vendimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska për të ashtuquajturin transferim të kompetencave nga shteti në nivel entiteti dhe vendimi dhe për miratimin e Ligjit për pasurinë e paluajtshme, e cila shfrytëzohet për funksionimin e autoriteteve publike në Republikën Srpska. Ligji u pezullua me një vendim nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, më 12 prill, sepse, sipas legjislacionit aktual, njësitë nuk mund të menaxhojnë pronën shtetërore.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Asambleja Kombëtare e Republikës Spska vendosi që qeveria e këtij entiteti ka gjashtë muaj afat për të paraqitur në parlament ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, ligjin për akcizat, ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Srpska, si dhe ligjet për mbrojtjen dhe sigurinë.

Këto janë kompetencat e shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, për të cilat Republika Sërpska pretendon në mënyrë të paarsyeshme se duhet të jenë në juridiksionin e entitetit. Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës nuk e lejon një mundësi të tillë.

Top Channel