“Rusët kanë zhvarrosur viktimat”, kryebashkiaku i Mariupolit: Po mundohen të pastrojnë krimet e tyre

15/04/2022 17:19

Këshilli i qytetit  të Mariupolit tha sot se rusët nuk po i lejonin banorët të varrosnin njerëzit e tyre dhe se kanë zhvarrosur disa prej viktimave.

BBC arriti të fliste me kryetarin e bashkisë së Mariupolit, Vadym Boychenko, i cili pohoi deklaratën e këshillit. Boychenko nuk është më në qytet dhe nuk tha se ku është tani, për arsye sigurie, përveçse u shpreh se ishte afër.

Por ai tha se agjencitë e inteligjencës ukrainase dhe banorët e Mariupolit kanë thënë se rusët kanë zhvarrosur disa nga të vdekurit.

“Ata po zbardhin krimet e tyre pas asaj që ndodhi në Bucha dhe Irpin. Ata po heqin trupat e civilëve të vrarë nga armët e armikut, avionët e armikut”,  tha ai.

Ai shtoi se rusët kanë sjellë krematoriume të lëvizshme për të asgjësuar kufomat.

Rusët kanë rrethuar dhe bombarduar Mariupolin për gjashtë javë dhe sipas raporteve qyteti mund të bjerë së shpejti.

Boychenko tha se kjo mbetet në duart e Ukrainës, por bëri thirrje për më shumë mbështetje ushtarake.

“Sot flamuri ukrainas fluturon mbi Mariupol. Është e vështirë, por djemtë po rezistojnë”, tha ai.

“Ne kemi nevojë vetëm për armë, kemi mjaft ushtarë. Por duhet të na jepet mundësia dhe armët.”

Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë ndihmë për të bllokuarit në qytet. Rreth 100,000 civilë janë ende brenda Mariupolit, tha ai.

“Shumë vende dhe organizata si Franca dhe Turqia dhe Kryqi i Kuq janë përpjekur të ndihmojnë. Por asnjë mision nuk ka arritur kurrë drejtpërdrejt në Mariupol”.

Top Channel