Dezinformimi po shtrembëron botëkuptimin e të rinjve për luftën në Ukrainë

15/04/2022 21:30

Ndërsa bota është përqendruar tek lufta e Rusisë kundër Ukrainës, një tjetër konflikt po shpërthen – në telefonat celularë.

Në luftën e informacionit, TikTok-u është bërë një fushë beteje. Popullore në radhët e audiencës me moshë më të re, platforma e njohur për videot e kërcimit është bërë, për disa, një burim informacioni mbi luftën në Ukrainë.

Me materiale të reja dhe të paverifikuara që shfaqen në TikTok çdo sekondë, disa analistë shqetësohen se platforma shpesh shërben për të keq-orientuar përdoruesit e saj, që janë rreth 1 miliard në mbarë botën.

“Këto mund të përdoren për t’i informuar njerëzit për atë që po ndodh realisht në terren”, tha Jessica Brandt, drejtoreshë e politikave për iniciativën e Institutit Brooking për inteligjencën artificiale dhe teknologjinë në zhvillim. “Ato gjithashtu mund të merren jashtë kontekstit dhe të përdoren për të mashtruar ose dezinformuar. Të gjitha këto po i shohim duke ndodhur gjatë këtij konflikti”.

TikTok-u nuk është i vetmi aplikacion i mediave sociale që ka fuqinë të keqinformojë të rinjtë për luftën në Ukrainë. Ryan Locher, një student i Universitetit Amerikan dhe krijues i materialeve në TikTok me më shumë se 18 mijë ndjekës, i tha Zërit të Amerikës se ai ka parë një sërë versionesh të rreme mbi konfliktin Rusi-Ukrainë që po zënë vend me shpejtësi në aplikacione të tjera të njohura të mediave sociale.

“E shoh në Twitter, padyshim në TikTok”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Është shumë e lehtë ta kuptosh se me çfarë pikëpamjesh janë këta njerëz”.

Perceptimi i studentëve

Zoti Locher thotë se ka pikasur përdorues pro-rusë në TikTok që përhapin teori konspiracioni për të justifikuar sulmin e Rusisë në Ukrainë, që nga akuzat për laboratorë ukrainas të armëve biologjike dhe deri tek rreziku nazist që vjen nga Kievi.

Ndërsa disa informacione të rreme synojnë të keq-orientojnë, zoti Locher thotë se materiale të tjera “rrjedhin nga bindjet e mëparshme të njerëzve, ndërsa ata përpiqen të krijojnë botëkuptimin e tyre për konfliktin”.

Andriana Markiv, një shtetase ukrainase që studion në Universitetin Amerikan në Uashington, është dakort. “Jo i gjithë [dezinformimi] vjen nga një vend urrejtjeje; ndonjëherë njerëzit që përhapin lajme të rreme nuk e dinë vërtet [se po veprojnë kështu]”, tha ajo.

Megjithatë, sipas zonjës Markiv, disa përdorues publikojnë me qëllim informacion të rremë për të krijuar polemika – dhe trafik – në platformat e mediave sociale. “E bëjnë këtë për të marrë pëlqime dhe komente”, shtoi ajo.

Pavarësisht nga qëllimi, bollëku i dezinformatave për luftën po shqetëson shumë ukrainas.

“I telefonoj familjes sime dhe i dëgjoj duke qarë dhe më pas hyj në rrjetet sociale dhe shoh njerëz që thonë se për këtë luftë e ka fajin Ukraina, ose që përhapin propagandë pro-ruse. Mundohem ta tejkaloj këtë, sepse është e vështirë”, tha zonja Markiv.

Albina Tokakova, një studente ruse që jeton në Shtetet e Bashkuara, beson se rusët dhe ukrainasit po përdorin mediat sociale për të përhapur informacionin që i përshtatet më mirë interesave të kombit të tyre. Ajo tha se disa kërkojnë të justifikojnë pushtimin rus, ndërsa të tjerët të mbrojnë sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

“Mendoj se është vërtet e vështirë tani të dallosh se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar dhe cili është informacioni i saktë”, i tha Zërit të Amerikës zonja Tokakova.

Ajo shtoi se, ndërsa ka shumë dezinformata që po përhapen në TikTok, platforma ka shërbyer gjithashtu për të bërë publike përpjekjet e ukrainasve për t’i mbijetuar pushtimit rus.

Pronësia kineze

Duke qenë se TikTok-u është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance Ltd, disa shqetësohen se shërben si një vegël e Pekinit për të influencuar pikëpamjet dhe perceptimet e njerëzve në mbarë botën.

Matthew Lee, student në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan, nuk e përdor TikTok-un.

“Ne shohim në mediat sociale kineze të thuhen shumë gjëra nacionaliste, shumë gjëra pro-ruse, dhe për shkak të kontrollit të fortë që kanë mbi gjithçka, është e vështirë të thuhet nëse janë njerëz të vërtetë, apo persona që qeveria i paguan për t’i thënë këto gjëra”, tha zoti Lee për Zërin e Amerikës.

Disa analistë besojnë se kjo është pjesë e një strategjie më të madhe nga qeveria kineze për ta manipuluar informacionin që t’i përshtatet versionit të saj, qoftë për luftën në Ukrainë, apo për një numër temash gjeopolitike.

“Unë mendoj se Kina ka përdorur manipulimin e informacionit për të formuar pikëpamjet mbi çështjet që janë me rëndësi gjeopolitike për të. Prej kohësh, këto përpjekje po bëhen më të vendosura dhe mendoj se ato do të vazhdojnë të rriten”, tha zonja Brandt, nga Instituti Brookings.

Studentët në Universitetin Amerikan i thanë Zërit të Amerikës se bëjnë çfarë munden për të luftuar dezinformimin. Duke qenë se ka lindur në Rusi, zonja Tokakova kërkon të korrigjojë versionet e rreme për vendin e saj.

Zoti Loher i tha Zërit të Amerikës se ai përdor opsionin e raportimit në TikTok për të shënuar videot që përmbajnë informacion të rremë. “Unë gjithashtu u kam dërguar mesazh disa prej krijuesve [të materialeve të rreme]”, shtoi ai.

Ndërsa zonja Markiv i këshillon përdoruesit e mediave sociale që të jenë të kujdesshëm ndaj përmbajtjes që konsumojnë, duke shtuar se ndërsa lufta në Ukrainë mund të duket e largët për amerikanët, “ju [mund të] keni studentë në klasën tuaj ose miq që po e përjetojnë këtë së bashku me familjet e tyre [ukrainase]”./VOA

Top Channel