Është aksiomë e njohur që korrupsioni i ka rrënjët që në bankat e shkollës dhe auditoret e studentëve.

Nëse sot paguan para për të marrë një provim , apo për të patur rezultate të larta, nesër je i destinuar, që të bëhesh një zyrtar i korruptuar, që shërbimet qytetarëve, ua ofron kundrejt parave. Është gati të publikohet këto ditë raporti i monitorimit mbi Perceptimin e Qytetarëve për Korrupsionin në Shqipëri.

Rigels Xhemollari: Gati 42% e qyetarëve kanë përvoja personale të korrupsionit. Reth 13% e njohin korrupsionin nga bisedat me miqtë dhe familjarët. Dhe rreth 40% e perceptojnë korrupsionin nga mospërputhja mes standardit që kanë zyrtarët publikë mes pagës dhe jetës së tyre.

Partitë Politike zënë vendin e parë përsa i përket perceptimit të korrupsionit tek institucionet. Rreth 83% e qytetarëve mendojnë, se niveli i korrupsionit është shumë i lartë. Një rezultat që na ka çuditur, pasi partitë politikë nuk është se kanë në dorë para të madhe, por kanë mundësi të mëdha, pasi deputetët apo qeveria ka mundësi të ketë në dorë afera të mëdha korruptive, apo mundësi për t’u korruptuar.

Në vendin e dytë renditet Sektori i Shëndetësisë , dhe më pas Administrata Publike, Policia, Shoqëria Civile dhe Arsimi.

Ndërsa përsa u përket zyrtarëve publikë, më të korruptuarit perceptohen Ministrat, Gjyqtarët dhe Prokurorët, Mjekët, Zyrtarët e Tatimeve dhe Doganave.

78% e qytetarëve mendojnë, se korrupsioni ka ardhur duke u rritur 8 vitet e fundit dhe 62% mendojnë se korrupsioni do të vazhdojnë të mbetet në këto nivele ose do të rritet, pra nuk ka shpresa dhe besim, se lufta ndaj korrupsionit, strategjitë që janë ndërmarrë do të jenë efektive për të reduktuar këtë fenomen në shoqërinë tonë.

Top Channel