Përpjekjet për negociata vazhdojnë, Ukraina: Kemi ngecur tek vendet garantuese!

14/04/2022 14:01

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, njëherazi kryesues i delegacionit të Kievit në negociata e paqes me Moskën, pohoi se “po vazhdojnë konsultimet” mbi një ‘roadmap’ të mundshmë paqeje, por ka ende tha ai, disa çështje ku palet nuk po gjejnë dakortësinë, siç është numri i vendeve që do të veprojnë si garantues sigurie për Ukrainën.

Mykhailo Podolyak: Po zhvillohen konsultime mbi detyrimet ligjore që duhen ndërmarrë, si do të jenë në aspektin e një traktati shumëpalësh. Duhet ta kuptojmë se rusët në mënyrë kategorike nuk duan ta rrisin numrin e vendeve që mund të jenë garantuese të sigurisë sonë. Ndërkohë, për ne, është shumë e rëndësishme që të kemi sa më shumë vende të tilla që të jetë e mundur.

Në takimin e fundit në Stamboll mes ekipeve ukrainase dhe ruse, negociatorët gjetën një lloj pajtimi mbi marrëveshjet paraprake dhe mundësinë e statusit neutral për Ukrainën, por me kushtin e mbrojtjes nën garancitë ndërkombëtare të sigurisë.

Me këtë, Ukraina nuk do të anëtarësohej në asnjë aleancë ushtarake, e nuk do te  ketë baza ushtarake.Presidenti rus, Vladimir Putin tha këtë javë se procesi i negociatave ka hyrë në qorrsokak, por kryenegociatori ukrainas shpjegoi se puna po vazhdon.

Përpara se të hyjë në fuqi një marrëveshje përfundimtare, në të gjithë territorin e Ukrainës duhet të ketë sërish paqe dhe të vendoset për një referendum për kushtet e një marrëveshjeje me Rusinë.

Si garante për respektimin e sigurisë mund të shërbenin Turqia, Izraeli, Polonia dhe Kanadaja.

Top Channel