”Nuk lejojmë anëtarësimin e Suedisë e Finlandës”/ Rusia kërcënon NATO-n me luftë atomike!

14/04/2022 14:04

Lëvizjet e Suedisë dhe Finlandës drejt NATO-s kanë vënë në alarm Kremlimin, që kërcënoi hapur aleancën ushtarake me pasoja të rënda në rast anëtarësimi të këtyre dy vendeve.

Nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës ushtarake, atëherë Rusia do të duhet të forcojë mbrojtjen e saj dhe se nuk mund të flitet më për një Baltik “të lirë nga armët bërthamore. Nuk mund të flitet më për ndonjë status pa armë bërthamore për Baltikun – ekuilibri duhet të rivendoset,” tha Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, i cili shtoi megjithatë se “Deri më sot, Rusia nuk ka marrë masa të tilla dhe nuk do të merrte”.

Reagimi i ashpër i Moskës erdhi një ditë pasi kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, pohoi se Helsinki do ta marrë brenda disa javësh vendimin nëse do të aplikojë për anëtarësim në NATO.

Sanna Marin: Nuk do të jap afate të qarta kohore se kur do ta marrim vendimin tonë, por mendoj se do të ndodhë shumë shpejt. Do t`i kemi këto diskutime brenda disa javësh, e jo muajsh.

Homologia suedeze e kryeministres Marin, Magdalena Andersson, paralajmëroi gjithashtu një ndryshim të madh të politikës për shtetin e saj, duke thënë se edhe Stokholmi po kërkon gjithashtu tani t’i bashkohet NATO-s.

Të dyja këto vende janë treguar të kujdesshme dhe për vite me radhë e kanë shmangur hedhjen e një hapi të tillë që do të krijonte tensione të mëdha me Rusinë, por lufta e Ukrainës ka ngjallur shqetësime shumë të mëdha sa i takon situatës së sigurisë.

Top Channel