Moska thotë se anija e saj kryesore në Detin e Zi është dëmtuar nga një shpërthim

14/04/2022 09:11

Anija kryesore e flotës ruse të Detit të Zi, kryqëzori Moskva, u dëmtua rëndë kur nga shpërthimi i municioneve në bord, tha agjencia e lajmeve Interfax duke cituar ministrinë ruse të mbrojtjes të enjten.

Interfax tha se ekuipazhi ishte evakuuar. Agjencia tha se shpërthimi kishte ndodhur nga një zjarr dhe se shkaku ishte duke u hetuar.

Një zyrtar ukrainas tha më herët se Moskva ishte goditur nga dy raketa, por nuk dha ndonjë provë.

Anija me kapacitet 12,500 tonë ka një ekuipazh prej rreth 500 personash. Agjencitë ruse të lajmeve thanë se Moskva kishte 16 raketa “Vulkan” të cilat kanë një rreze veprimi prej të paktën 700 km.

“Si rezultat i një zjarri në kryqëzorin e raketave Moskva, shpërthyen municione. Anija u dëmtua rëndë,” tha Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë. “Ekuipazhi u evakuua plotësisht.”

Interfax nuk dha më shumë detaje.

Maksym Marchenko, guvernator i rajonit rreth portit të Odesës në Detin e Zi, tha më herët në një postim në internet se dy raketa kishin goditur kryqëzorin, por nuk dha prova.

Muajin e kaluar Ukraina tha se kishte shkatërruar një anije të madhe ruse, Orsk, në detin Azov, në verilindje të Detit të Zi. Moska nuk ka komentuar se çfarë kishte ndodhur me anijen./VOA

Top Channel