Kremlini kërcënon të bombardojë Zelenskyn/ Shtëpia e Bardhë: Biden mund të shkojë në Kiev!

14/04/2022 12:44

Ushtria e Moskës kërcënoi të godasë qendrat e komandës së Ukrainës në kryeqytetin Kiev, nëse trupat ukrainase vazhdojnë të sulmojnë territorin rus.

“Po shohim përpjekje të ushtarëve ukrainas për të kryer sabotime dhe sulme brenda tokës sonë. Nëse episode të tilla vazhdojnë, atëherë forcat e armatosura ruse do të godasin qendrat vendimmarrëse, përfshirë në Kiev”, deklaroi ministria ruse e mbrojtjes.

Kërcënimi kundër komandës së lartë të Ukrainës, përfshirë dhe vete presidentin Volodymyr Zelensky – erdhi pasi autoritetet rajonale ruse dolën me pretendimin se të shtëna armësh u dëgjuan të mërkurën pranë një fshati rus në një rajon perëndimor që kufizohet me Ukrainën.

Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë ndodhi pasi autoritetet në rajonin e Kurskut dhanë informata kontradiktore dhe fshinë një deklaratë të mëparshme që thoshte se një pikë kontrolli kufitar ishte përfshirë nga flakët. Kërcënimi i Rusisë erdhi gjithashtu pasi presidentët e Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë udhëtuan me tren për në Kiev për të takuar Zelenskyn, me fotografi që tregojnë pesë burrat duke u takuar së bashku në kryeqytet.

Ata, ashtu si dhe krerët e të gjitha vendeve të  NATO-s, janë të shqetësuara se mund të ndeshen me ndonje sulm të ngjashëm nga Rusia në të ardhmen, nëse Ukraina bie. Mësohet sakaq se Shtëpia e Bardhë po mendon të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në Kiev në mbështetje të Zelenskyt.

Sipas disa raporteve, Joe Biden mund të shkojë dhe vetë në Ukrainë për bisedime me homologun ukrainas. Herën e fundit që ai ishte në Kiev, ka qenë në 2017-tën, kur e vizitoi Ukrainën si zv/president ii SHBA, tre ditë përpara se të linte postin.

Top Channel