Flet nëna e shqiptarit që u shtir si pakistanez dhe përdhunoi të miturën greke: Dëgjoja vetëm të qeshura nga dhoma e tyre

14/04/2022 10:27

Nëna e shqiptarit 27-vjeçar që akuzohet për përdhunimin e një të miture në Greqi ka dhënë versionin e saj për këtë ngjarje.

Pas arrestimit të djalit të saj, nëna ka zbuluar se nuk dinte asgjë për takimin që kishte me vajzën por gjithçka e mësoi nga i biri, i cili i tha që do të ishte në dhomë me të.

“Djali im hyri në shtëpi dhe më tha ‘mos më shqetëso, do të jem në dhomë me një vajzë’. Nuk dëgjova zhurmë siç thonë, dëgjova vetëm të qeshura ”, pohon e ëma duke folur për protothema.gr.

Gjithçka e mësoi kur të nesërmen i mbërriti policia në shtëpi dhe i kërkoi të birin.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja ndodhi në lagjen Korydallos të kryeqytetit të vendit. Mësohet se viktima ishte njohur me autorin në rrjetet sociale, nëpërmjet një profili në të cilin deklarohej se ishte nga Pakistani.

Pas disa komunikimesh, dy të rinjtë vendosën të dalin për tu njohur nga afër. Por shëtitja romantike u kthye në makth për viktimën, në kohën që ai e shoqëroi në banesë dhe nën kërcënim e përdhunoi për disa orë.

Në vazhdim e shoqëroi të miturën në banesën e saj dhe pasi e kërcënoi se nëse do të fliste do ta vriste, u largua. Pak minuta më vonë e mitura denoncoi rastin dhe falë reagimit të shpejtë të autoriteteve, autori u vu në pranga.

Bëhet fjalë për një 27-vjeçar shqiptar, emri të cilit për momentin nuk bëhet publik. Autoritetet thonë se bëhet fjalë për një person tepër të rrezikshëm, madje nuk kishte shumë kohë që ai ishte liruar nga burgu ku mbahej nën akuza të rënda. Ai do të dërgohet për masë sigurie në gjykatë.

Top Channel