Ukraina arreston aleatin më të ngushtë të Putin, Zelensky kërkon shkëmbim të burgosurish!

13/04/2022 13:55

Shërbimet sekrete ukrainase kanë arrestuar politikanin pro-rus, Viktor Medvedchuk, aleati më i ngushtë dhe më me influencë i Vladimir Putinit në Ukrainë.

Presidenti Volodymir Zelenksy publikoi një foto ku Medvedchuk shihej i lodhur e me pranga në duar, e tha se ai është kumbari vajzës së shefit të Kremlinit. Kievi thotë se 67 vjecari Medvedchuk, lideri i partisë Platforma Opozitare ishte larguar në shkurt nga arresti shtëpiak.

Vitin e kaluar, autoritet e paditën për tradhëti, por ai i mohon akuzat, ndërsa muajin që shkoi, Zelensky tha se Platforma Opozitare për Jetën, lëvizja më e madhe e opozitës në Ukrainë dhe disa parti më të vogla politike ishin pezulluar për shkak të lidhjeve me Moskën.

Zelensky i propozoi Rusisë një shkëmbim të burgosurish: “ Ju merrni këtë njeriun tuaj, e na jepni ne djemtë dhe vajzat tona që janë kapur nga rusët”, u shpreh ai.

Lajmi i ndalimit të 67 vjeçarit erdhi në ditën kur situata duket e përkeqësuar në terren në disa zona të vendit. Rusia pretendon se 1,026 ushtarë ukrainas kanë ulur armët e janë dorëzuar në qytetin e rrethuar të Mariupolit, që pasi rezistoi për javë të tëra, tani duket se është shumë pranë rënies në duart e trupave të Moskës.

Në mesin e ushtarëve të dorëzuar është edhe britaniku Aiden Aslin, e konfirmuar kjo nga familjarët e tij. Zv/kryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk njoftoi se sot nuk do të hapen dot korridore humanitare për të lejuar evakuimin e civilëve pasi gjendja është mjaft e rrezikshme. Ajo akuzoi trupat ruse se po shkelin armëpushimin dhe tha se Moska, nuk i kontrollon dot ushtarët e saj në terren.

Top Channel