Vijojnë evakuimet në Ukrainë, mbi 4,000 qytetarë lanë sot vendin e tyre

11/04/2022 23:05

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk tha se 4,354 njerëz janë evakuuar ditën e sotme nga zonat ku vazhdojnë luftimet, duke përfshirë edhe Mariupolin.

Ajo tha se 556 njerëz ishin evakuuar nga Mariupol dhe 3,298 të tjerë nga qytete të tjera në jug të Ukrainës, duke përfshirë Melitopol dhe Berdiansk, në të cilat forcat ruse vazhdojnë sulmet e tyre.

Të evakuuar kishte edhe nga zona e Donbasit, ku ditët e fundit ka pasur sulme të vazhdueshme dhe fokusi i ushtrisë ruse tashmë është aty.

Evakuimet e civilëve kanë hasur gjithmonë probleme, pasi marrëveshjet e  korridoreve humanitare nuk janë zbatuar.

Pavarësisht rrezikut, ukrainasit kanë vendosur të largohen nga vendi i tyre derisa situata të përmirësohet, ndërsa kanë lënë pas gjithçka.

Top Channel