Moska nis ofensivën në Donbas, çeçenët kërkojnë Kievin: Do e marrim ne!

11/04/2022 12:30

Rusia ka nisur në Donbas ofensivën finale për marrjen e rajonit lindor të Ukrainës pohoi Vadym Denysenko, këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas.

“Rusët janë duke grumbulluar forcat e tyre. Ende nuk kanë nisur betejat e mëdha për të cilat flitet prej ditësh, por në tërësi, mund të themi se faza e sulmit ka filluar”, është shprehur Denysenko i cituar nga CNN.

Pohimet e tij i mbështesin dhe bombardimet e ashpra gjatë natës në rajonin Dnjepër, dhe ato në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit. Guvernatori i tij, Oleg Synegubov, thotë se në të këtë zonë janë regjistruar 65 sulme brenda 24 orësh, kryesisht me zjarr artilerie.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko bëri thirrje të mos ulet vigjilenca pas tërheqjes se trupave.

“Nuk përjashtohet mundësia që ata të kthehen e të tentojnë sërish pushtimin e kryeqytetit”, u shpreh ish kampioni i boksit, që nuk përjashton një tentativë të ardhshme për marrjen e Kievit “në dy ditë”. Në fakt, deklaratat e liderit çeçen Ramzan Kadyrov përligjin shqetësimin e Klitchkos.

Kadyrov thotë se do të ketë një mësymje të re jo vetëm në Mariupol, por edhe në qytete e fshatra të tjera, e pasi të çlirojmë krejtësisht Luhanskun e Donjetskun, do të marrin Kievin, ka deklaruar ai. Duke cituar të dhëna të inteligjencës,Ministria britanike e mbrojtjes thotë se rusët kanë përdorur bomba me fosfor dhe mund ti përdorin sërish në qytetin e Mariupolit.

Pretendimet e saj vijnë në kohën kur ka dalë një dritë një tjetër varr masiv, këtë herë në afërsi të Burzovës. Për Volodymir Zelenskyn, kjo javë ka për të qenë vendimtare ndërsa thotë se Rusia ka humnbur kontaktin me realitetin, e na akuzon ne, u shpreh ai, për krimet që trupat ruse kanë kryer në Bucha dhe Kramatorsk. Përpjekjet diplomatike për një fund të luftës i vazhdon sot Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, i cili udhëton drejt Moskës për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai është udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takohet personalisht me Putinin, qëkur ky i fundit dha urdhrin për pushtimin e Ukrainës, në 24 shkurt. Nehammer, që dëshiron të promovojë dialogun midis Moskës dhe Kievit, u takua gjatë fundjavës edhe me Zelenskyn.

Top Channel