Jo vetëm rusëve, sanksione dhe serbëve të Bosnjës/ Britania shënjestron dy politikanë!

11/04/2022 15:15

Dara e sanksioneve të perëndimit shtrihet përtej Rusisë.

Britania e Madhe ka sanksionuar politikanët e njohur serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanovic, për shkak, siç thuhet, të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës.

Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalesë në udhëtim, janë të parat kundër zyrtarëve në Bosnje, që njoftohen nga Mbretëria e Bashkuar. Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ndërsa Cvijanovic është presidente e entitetit Republika Sërpska.

“Të inkurajuar nga sistemi i Rusisë për minim të rregullave ndërkombëtare, të dy individët kanë përdorur pozitat e tyre të autoritetit për të çuar përpara shkëputjen de facto të Republikës Sërpska – një prej dy entiteteve të Bosnje-Hercegovinës – në kundërshtim të plotë me kushtetutën e shtetit”, kanë bërë të ditur autoritetet britanike.

Në 5 janar të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit ka vënë po ashtu sanksione ndaj Dodikut. Departamenti thoshte asokohe se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

Republika Sërpska dhe Federata Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën, e vendosur kjo nga Marrëveshja e Dejtonit, që i dha fund luftës në vitet 1990.

Top Channel