Zgjedhjet presidenciale në Francë/ 65% e zgjedhësve votuan deri në orën 17:00, pjesëmarrje më e ulët se në zgjedhjet e kaluara

10/04/2022 17:16

Votuesit francezë po votojnë këtë të diel në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale pas një fushate të lënë në hije nga pushtimi rus i Ukrainës. 

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme, pjesëmarrja në votime ka arritur në 65 për qind deri në orën 17:00 me orën lokale, shifër kjo më e ulët se në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017 (69,42%).

Pjesëmarrja në zgjedhjet franceze është tradicionalisht e lartë: pjesëmarrja në raundin e parë në 2017 ishte 77,77%. Por para votimit të sotëm u fol shumë për përqindje të lartë të votuesve të pavendosur, që pritej të abstenonin dhe një pjesë e tyre kështu kanë bërë.

Një arsye për pjesëmarrjen e ulët është fushata që nisi me vonesë, pjesërisht për shkak të pandemisë së Covid 19 dhe së fundmi për shkak të luftës në Ukrainë.

Njëmbëdhjetë politikanë, përfshirë një komunist e deri te kandidatët kundër emigracionit të së djathtës ekstreme po kërkojnë të rrëzojnë presidentin aktual,  Emmanuel Macron që kërkon të bëhet presidenti i parë francez në 20 vite që rizgjidhet në ktë post. garën më të fortë ai e ka me Marine Le Pen.

Nëse një nga kandidatët merr mbi 50% të votave, nuk do të ketë raund të dytë, në të kundërt (ajo që ka më shumë mundësi të ndodhë), dy kandidatët që do të marrin më shumë vota se të tjerët, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve në 24 prill.

Votimi do të mbyllet në orën 20:00 dhe më pas në vend pritet të publikohen sondazhet e para, që aktualisht janë të ndaluara.

Top Channel