Pas presidentit amerikan Joe Biden, edhe aleatët perëndimorë paralajmëruan ndëshkim për Moskën pas mizorive të zbuluara në qytetin e Bucha-s në vazhdën e tërheqjes së trupave ruse nga zona.
Kancelari gjerman, Olaf Shcolz tha se presidenti rus Vladimir Putin dhe mbështetësit e tij “do t’i ndiejnë pasojat”, pasi sanksionet do të ashpërsohen shumë fort. Franca dhe Gjermania thanë se do të dëbojnë diplomatët rusë nga vendet e tyre, një lëvizje kjo që i shkaktoi dhimbje Kremlinit, që reagoi menjëherë përmes zëdhënësit Dimitri Peskov duke kërcënuar se do të hakmerret e “do t’i përplasë derën në fytyrë ambasadave perëndimore”.
“Do të na dalë më lirë të gjithëve. Dhe pastaj do të përfundojmë duke e parë njëri-tjetrin vetëm nga gryka e pushkës”, ishte komenti i tij. Presidenti Biden bëri thirrje më herët për një gjyq për krime lufte kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe tha se insistoi për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
“E keni parë se çfarë ndodhi në Bucha. Ky njeri është brutal. Putini është një kriminel lufte“, tha Biden.
Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë pasuan vizitën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në Bucha, një nga qytetet përreth Kievit, ku zyrtarët ukrainas thonë se janë gjetur trupa të 410 civilëve të vrarë. Zelensky u përfshi nga emocionet e u përlot kur pa nga afër tmerrin e veprimeve ruse që i përshkroi si genocid dhe i bëri thirrje botës të shtrëngojë darën e sanksioneve ndaj Rusisë.
Situata tronditëse nuk e ka lanë indiferente BE-në. Duke dëshmuar se nuk do të mjaftohen vetëm me deklarata, kryetarja Europian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian do të dërgojë hetues në Ukrainë për të ndihmuar prokuroren e përgjithshme të këtij vendi “të dokumentojë krimet e luftës”.
Top Channel