Krahasimi/ Laçi “pikiatë” në fazën e tretë, -10 pikë dhe 9 gola më shumë të pësuar

05/04/2022 10:24

Disfata e së hënës ndaj Partizanit, i vendosi kapak një faze të tretë krejtësisht për t’u harruar për Laçin.

Kurbinasit e nisën fazën e tretë si pretendentë për titull dhe jo më kot, pasi në tre ndeshjet e para të kësaj faze grumbulluan pikë të plota, 9.

Por, panorama ndryshoi dhe tatëpjeta e kurbinasve nisi pas disfatës së thellë me shifrat 4-1, në kryeqytet ndaj rivalëve të deri atij momenti Tiranës. Pikërisht, pas sfidës me bardheblutë, të besuarve të trajnerit Mirel Josa duket se iu “prenë gjunjët” dhe në vijim nuk fituan asnjë nga pesë sfidat e radhës, duke humbur dy e barazuar tre ndërsa statistikisht u zhvendosën në fazën e parë, pasi si atëherë edhe në këtë fazë të tretë nuk mundën të kalonin përtej kuotës së 12 pikëve.

Ndërkohë, nëse bën krahasimin me fazën e dytë, e cila ishte në limitet e perfektes për Laçin, atëherë dështimi i këtyre ndeshjeve të fundit bëhet edhe më “ulëritës”. Kjo pasi në fazën e dytë, Laçi grumbulloi plot 22 pikë duke regjistruar shtatë fitore, një barazim dhe vetëm një humbje, ndërsa krahasuar me fazën e tretë, bardhezinjve i mungojnë 10 pikë pasi mblodhën vetëm 12 të tilla.

Ecuria në shifra e Laçit në fazën e tretë na tregon se skuadra e Josës fitoi tre ndeshje, humbi tre dhe barazoi në tre të tjera. Ndërkaq, sulmi i Laçit ishte shumë më i pasur në fazën e dytë, me kurbinasit që iu gëzuan golit në 17 raste, teksa Dajsinani me shokë i “vendosën drynin” portës dhe u ndëshkuan vetëm tre herë. Por, në këtë fazë të tretë shënuan vetëm tetë gola, duke pësuar po aq. Pra, me një mesatare të thjeshtë, kurbinasit shënuan më pak se një gol për ndeshje.

Këto statistika nxjerrin qartësisht në pah edhe arsyen pse Laçi e sheh veten 14 pikë larg Tiranës kryesuese dhe ndryshe nga një fazë më parë, tashmë fjala titull nuk është më një opsion për ambientin në Laç./ Supersport

Diferenca e fazës së tretë me të dytën:

Faza e tretë- 12 pikë;
3 humbje- Tirana, Teuta, Partizani
3 barazime- Egnatia, Kastrioti, Skënderbeu
3 fitore- Vllaznia, Dinamo, Kukësi

8 gola të shënuar
8 gola të pësuar

Faza e dytë- 22 pikë;
7 fitore
1 barazim
1 humbje

17 gola të shënuar
3 gola të pësuar

Top Channel