Në zgjedhjet parlamentare të tre prillit në Serbi, shqiptarët garuan me dy lista të ndara.

Shaip Kamberi i printe Koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar dhe Shqiprim Arifi Alternativës. Asnjëri nuk grumbulloi 13 mijë vota për të marrë ulëse, për shkak që edhe pjesëmarrja e shqiptarëve në këto zgjedhje ishte e ulët.

Me anë të një reagimi në Facebook, Kamberi thotë se nuk e cilëson problem që Arifi nuk i uron fitoren, por cilëson problem diskriminimin dhe shtypjen shoqërore në Luginë.

“Nuk është problem pse bartësi i Listës tjetër nga Lugina nuk uron fitoren bindëse të Listës sonë. E as që hesht për debaklin e tij zgjedhor duke akuzuar Shqipërinë, Kosovën ose mua.

E fundja as që votoj për President të Serbisë, të cilin e bojkotuan pjesa absolute e shqiptarëve. Çështje e tij.

Por, problem mbetet që nuk e sheh diskriminimin dhe shtypjen shtetërore si shkaktarët kryesorë të gjendjes në Luginë, që u shfaq tash edhe në procesin jodemokratik zgjedhor, përmes pasivizimit të vendbanimeve dhe shlyerjes së shqiptarëve nga listat votuese”, shkruan Kamberi.

Edhe më parë, Kamberi kërkoi që të përsëriten zgjedhjet në Luginën e Preshevës pasi pretendon se iu mohua e drejta e votës shumë qytetarëve.

Top Channel