Nga 1 prilli paga minimale në vend do të jetë 32 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është aktualisht.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i parashikuar për të hyrë në fuqi në korrik të këtij viti u zhvendos në kohë, për të përballuar krizën e rritjes së çmimeve si paketë e Rezistencës Sociale të hartuar nga qeveria.

Janë rreth 71 500 të punësuar me këtë nivel pagash, ndërsa ndryshimet do të ketë edhe për kategori të tjera, të cilët tani do të përfitojnë 20 mijë lekë më shumë.

Qeveria ka vendosur edhe për të punësuarit me paga nga 40-50 mijë lekë, që t’i përgjysmohet norma tatimore. Ky tatim llogaritet dhe mbahet nga kompanitë aktualisht, ndërsa nuk dihet ende nëse do të reflektohet te pagat e punëmarrësve. Në këtë fashë përfitojnë 58 mijë individë.

Ndryshimet prekin edhe 5900 punonjës që i përkasin fashës 150 mijë- 200 mijë lekë në muaj.

Nga aplikimi i këtyre ndryshimeve ligjore rezulton me një efekt negativ në buxhetin e shtetit me -1.37 miliardë lekë në vit. Kjo masë shihet si mbështetëse ndaj shtresës së mesme dhe lehtësimin e profesionistëve, të cilët merrnin paga deri në 200 mijë lekë, por paguanin një tatim të rëndë.

Shpeshherë kjo skemë e pavaforshme e tatimit progresiv ka dërguar edhe në evazion fiskal nga shumë profesionistë, të cilët hapnin biznese me NIPT-e personale dhe deri në 10 milionë lekë xhiro nuk paguanin asnjë taksë në shtet.

Qeveria gjithashtu vitin e kaluar ka prezantuar edhe një ndryshim të ri, për tatimin e pagave, ku të gjithë ata që janë të dypunësuar, duhet të plotësojnë një deklaratë vjetore të ardhurash dhe të llogarisin diferencën e tatimeve të papaguara.

Top Channel