Një djalë adoleshent i mbijetoi tragjedisë teksa policia thotë se po heton në teorinë e “vetëvrasjes kolektive”.
Katër anëtarë të një familjeje franceze u hodhën drejt vdekjes nga apartamenti i katit të shtatë të enjten e shkuar duke tronditur qytezën zvicerjane të Montreux.
Djali 15-vjeçar i familjes i mbijetoi tragjedisë në qytetin pranë liqenit të Gjenevës, por eshte në gjendje kome në spital.
Policia rajonale tha se në shtëpi nuk kishte shenja përleshjeje dhe se nuk ka pasur ndërhyrje nga palë të treta.
Prandaj ata po punojnë në teorinë tragjike të vetëvrasjes kolektive.
Burri 40 vjeçar, gruaja e tij 41-vjeçare, motra binjake e kësaj të fundit, vajza tetë-vjeçare e ciftit dhe djali i tyre, jetonin “të ndarë nga shoqëria”, tha policia zvicerjane.
Autoritetet kishin trokitur në derën e shtëpisë së familjes mëngjesin e tragjedisë, për të folur me babanë në lidhje me “arsimimin privat në shtëpi” që po i jepte djalit të tij.
Por kur nuk ishte përgjigjur njeri, oficerët ishin larguar.
Vetëvrasja e shumëfishtë ndodhi disa minuta më vonë.
Policia shtonte se që prej nisjes së pandemisë Covid-19 familja interesohej në “teori mbijetese dhe konspiracioni”.
Ata jetonin në mënyrë vetë-mbështetëse dhe kishin mbushur apartamentin me ushqime që zinin shumicën e hapësirës, duke mos dashur të dilnin apo të bënin pazar.
Vetëm motra binjake e gruas punonte jashtë shtëpisë dhe asnjë prej nënës apo vajzës tetëvjeçare nuk ishin të regjistruara me autoritetet bashkiake.
“Të gjithë elementët sugjerojnë … frikën se autoritetet do të ndërhynin në jetën e tyre,” argumentohej në deklaratën e policisë.
E përditshmja franceze ‘Journal du Dimanche’ shkruante se babai, Eric David, ishte rritur në një zonë të pasur të Marseille dhe ishte arsimuar në shkollën prestigjoze ‘Ecole Polytechnique’.
Motrat binjake Nasrine e Narjisse Feraoun, ishin rritur në një familje me pesë fëmijë dhe gjithashtu arsimuar në liceun prestigjoz francez ‘Lycée Henri-IV’ në Paris.
Nëna e tyre ishte dentiste dhe motra e saj doktoreshë oftalmologe.
Gazeta tha se binjaket ishin stërmbesa të shkrimtarit algjerian Mouloud Feraoun, mik i ngushtë i filozofit francez Albert Camus.
Feraoun u vra në atentat në Algjer në 1962 nga radikalë francezë pro-kolonialë.//The Guardian//
Top Channel