Vuçiç për Putin: Pa që s`ka nga të shkojë, Perëndimi e befasoi tre ditët e para

26/03/2022 16:05

“Besoj se e njoh presidentin rus Vladimir Putin më mirë se 99% e liderëve botërorë, them se e kuptoj çfarë ka në mendje. Perëndimi  e befasoi atë tre ditët e para. Pastaj, Putin tha me vete se është në një situatë ku nuk ka nga të shkojë, dhe tani po e befason ai perëndimin më shumë. Sigurisht që e gjithë kjo, ka pasoja të tmerrshme për Rusinë, Perëndimin dhe të gjithë ne” u shpreh presidenti serb Aleksandar Vucic për Euronews Serbia, ku u përpoq të shpjegonte edhe qëndrimin e Beogradit në raport me sanksionet ndaj Moskës.

“Serbia nuk ka vepruar politikisht por në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare”, tha Vucic, teksa nënvizoi se si për faktin që nuk vuri sanksione ndaj Rusisë, sipas tij, Serbia po perceptohet si vend që mban anën e saj në këtë konflikt.

Kreu i shtetit serb këmbënguli se vendimi që ka marrë, është i drejtë. “Kam bindjen se ky ishte vendimi më i mirë për ne. Si mund të na bëjnë presion ata që zgjedhin çfarë sanksionesh duan dhe çfarë nuk duan, dhe kërkojnë prej nesh të vendosim  që ata vetë nuk i vendosin”, ishte komenti i tij.

Dy ditë më parë, Vucic tha se i ishte mirënjohës zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, që u kujdes për problemet e mundshme të Beogradit me pagesën e gazit rus. Ai vlerësoi se rritja e çmimit të naftës dhe gazit natyror në tregun botëror, për shkak të krizës në Ukrainë, është një problem i madh, i cili bëhet edhe më i madh pas vendimit të Putin për të paguar gazin rus në rubla.

Top Channel