Krerët e NATO-s u mblodhën në samitin e jashtëzakonshëm të Brukselit me një qëllim të qartë: Diskutimin e përgjigjes afatshkurtër, por edhe asaj afatgjatë të aleancës veri-atlantike ndaj sulmit rus në Ukrainë.
Presidenti Joe Biden iu bashkua liderëve të të tjerë, mes të cilëve i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Nga Kievi i rrethuar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua përmes një videoje udhëheqesve të 30 vendeve anëtare. Kerkesat e urgjente te tij kane qene më shumë armë e një zonë ndalim fluturimi.
Lutja e fundit zor se mund të plotësohej, pasi kjo do të thoshte hyrje në luftë e aleancës, sepse NATO do duhej të qëllonte avionët luftarakë rusë. Por liderët pajtohen me idenë e një asistence të shtuar për Ukrainën, duke përfshirë këtu pajisje që ta ndihmojnë të mbrohet ndaj kërcënimeve kimike, biologjike e bërthamore të fqinjit të vet më të madh.
Zelensky: Kemi kërkuar ndihmë ajrore “për të mbrojtur qiellin tonë” që nga fillimi i luftës, pasi Ukraina nuk ka pajisje të fuqishme për mbrojtje. Jemi në një situatë jo të barabartë prej muajsh të tërë. Rusia është duke përdorur gjithë arsenalin e saj – duke shënjestruar qyteza, spitale dhe ura. Ukraina nuk dëshiron të zhvillojë luftëra. Ne vetëm duam të mbijetojmë, të ruajmë njerëzit tanë.
Aleanca mund të ndihmojë për të shmangur vdekjet, duke i ofruar Ukrainës më shumë municion, tha ai, duke shtuar se është “çështje e jetës dhe vdekjes”. “Ne do t’i japim Ukrainës armë, me qëllim që ajo të mbrohet dhe të luftojë në këto ditë të vështira që do të vijnë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden. Se sa armë dhe furnizime do të ketë si edhe cilat do të jenë rrugët e dërgimit në Ukrainë nuk dihet. Për arsye sigurie, siç tha edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, sepse udhëheqja ruse ka bërë të ditur, se do të godasë rrugët që sjellin furnizime nga perëndimi. Në një gjest uniteti rrallëherë të parë në Perëndim, NATO, G7 dhe BE mbajnë që të gjitha takime sot, duke i treguar botës një front të bashkuar të perëndimit për luftën në Ukrainë.
Top Channel