Basha jep dorëheqjen si kryetar i PD: Nuk isha për karrigen, do vazhdoj të punoj për ringritjen e Partisë Demokratike

21/03/2022 17:25

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen si kryetar i PD. Në mbledhjen me grupin parlamentar dhe kryesinë, Basha tha se ka marrë vendimin të bëjë hap pas duke u tërhequr nga posti por do të vazhdojë të punojë për ringritjen e PD dhe bashkimin e demokratëve, por në asnjë moment nuk e përmendi Berishën.

Basha: 25 prilli ishte një goditje e rëndë për demokratët dhe për shqiptarët, masakra zgjedhore ndali ndryshimin me 25 prill. Shpresa per tu ringritur ka marrë për fat te keq prej goditje të njëpasnjëshme. Personalisht investova gjithçka për një zgjidhje që do ti shërbente edhe Partisë Demokratike edhe transparencës. Kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, jam i bindur se do ta qartësojë koha.

Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shumë demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë. Për këtë arsye dhe për të ndihmuar demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore,  kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve.

Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur për karrigen e kryetarit. Unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do bëj gjithçka qe ti japin forcë vizionit tonë për një Parti Demokratike që zgjedh të ardhmen.

Kjo do të thotë se unë do të vazhdoj pareshtur e pa u lëkundur të punoj per këtë ringritje të Partisë Demokratike rreth vlerave, parimeve dhe standardeve tona si demokratë.

Vendimi i Bashës erdhi pas përçarjes së partisë dhe humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 marsit pasi PD u rendit si forcë e tretë dhe forcë e dytë u rendit koalicioni “Shtëpia e Lirisë” e Sali Berishës. Në fjalën e tij para demokratëve, Basha tha se janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, ndaj thotë se këtë hap e hedh “për shërimin e plagëve të hapura padrejtësisht në mendjet dhe zemrat e demokratëve”.

Basha: Për këtë jam i bindur se ka nevojë që të nisë sa më parë një proces vetëdijësimi, analize, përbashkimi parimor dhe ripërtëritje, e më pas një proces zgjedhor i hapur, transparent, i lirë dhe i drejtë, nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD. Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij.

Shqipëria meriton dhe do të ketë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve, në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per tu përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit, për të ardhmen e Shqipërisë dhe demokracisë.

Me mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë qëndruar e qëndrojnë për një PD të vlerave kombëtare, qytetare dhe Euro-Atlantike, dua të siguroj të gjithë demokratët, simpatizantët, mbështetësit, dhe votuesit tanë se këtë hap e hedh në funksion të shërimit të plagëve të hapura padrejtësisht në mendjet dhe zemrat e demokratëve.

Me vendosmërinë e pathyeshme për të vazhduar betejën me dhe për demokratët, me dhe për Partinë Demokratike, si e vetmja shpresë për shqiptarët, për të mundur të keqen dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Lexo edhe: Kush pritet të marrë drejtimin e PD deri në zgjedhjen e kryetarit të ri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA