Avokati i redaktores së televizionit rus që protestoi kundër luftës gjatë transmetimit live të hënën ende nuk e di se ku është ajo.
Dmitry Zahkvatov është përpjekur të gjejë redaktoren e “Channel One”, Marina Ovsyannikova që nga protesta e saj të hënën.
Ai tha për CNN se Ovsyannikova është gruaja që shihet në transmetim, duke mbajtur pankartën dhe, se ajo është redaktore e këtij televizioni.
“Ndalo luftën. Mos i besoni propagandës që ju thonë gënjeshtra këtu”, shkruhej në tabelë, duke përfunduar në anglisht, “rusët kundër luftës”.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e hodhi poshtë protestën e saj duke e konsideruar një “huliganizëm”.
“Për sa i përket kësaj zonje, ky është huliganizëm”, u tha Peskov gazetarëve në një video-telefonatë të martën, duke shtuar se autoritetet tashmë po trajtojnë rastin e saj.
“Kanali dhe ata që janë në krye po merren me të”, shtoi ai.
“Kjo nuk është një çështje në agjendën e Kremlinit”.
Huliganizmi është një vepër penale në Rusi.
I pyetur në lidhje me akuzat e mundshme penale kundër Ovsyannikova, Peskov iu shmang pyetjes, duke iu referuar “përgjegjësisë” që mbajnë kanalet televizive shtetërore.
“Ka disa departamente që merren me këtë”, tha Peskov.
“Transmetimi i drejtpërdrejtë i çdo kanali televiziv dhe veçanërisht ata që punojnë atje kanë një përgjegjësi të veçantë”.
Komiteti Hetimor – një agjenci e lartë ruse e zbatimit të ligjit – nisi një kontroll kundër Ovsyannikova-s mbi “përhapjen publike të informacionit të rremë në lidhje me përdorimin e Forcave të Armatosura Ruse”, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS të martën, duke cituar një burim të paidentifikuar.
Top Channel