Protesta e qytetarëve të Lezhës këtë të shtunë është mbyllur paqësisht. Kjo protestë ishte e katërta dhe mori një vëmendje të madhe qytetare jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë vendin për shkak të ngritjes së çmimeve të ushqimeve, por edhe karburantit. Ata bllokuan disa akse rrugore, veçanerisht aksin Lezhë-Milot, por edhe rrugën që të çon në Tale, Zejmen, Rrilë dhe Shënkollë.

Po ashtu, protesta të tjera do të mbahen në një pjesë të madhe të vendit.

Sot, gjithashtu, organizatorët e protestave u kanë bërë thirrje të gjithëve që të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, në orën 11:00, nga ku do të mbajnë edhe një marshim drejt Kryeministrisë.

“Kundërshtia e qytetarëve – përgjigjja e qeveritarëve”

Revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.

Çmimi i naftës – brenda 24 orëve – u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.

Mbështetësit e Organizatës Politike njollosën muret e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në shenjë revolte.

Nga ana tjetër, aktivistët, nëpërmjet kanaleve online, iniciuan grumbullimet e para.

Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.

Manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës, duke i “paralizuar” ato.

Të nesërmen, strukturat policore, në bazë të provave të grumbulluara, kryen arrestime për vepra të ndryshme penale.

Kryeministri bëri me dije se kabineti qeveritar brenda 48 orëve do të shpallte një plan konkret.

Po ashtu, ai e vuri theksin te bashkimi “tek e vërteta dhe faktet”.

Me tone të qeta, duke i rikthyer qytetarët në ditën e tërmetit dhe pandemisë, ravijëzoi se “ashtu siç i dolëm në mbrojtje familjeve të këtij vendi, ashtu do t’i dalim sërish në mbrojtje familjeve të këtij vendi në këtë situatë krize”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA