Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë ka shprehur mbështetjen për rezolutën e mbështetjes ndaj Ukrainës.
“Ne shqiptarët jemi kombi i fundit para kombit ukrainas që e kemi ndjerë luftën, dhunën. Jemi mbledhur në një ngjarje unike për t’i dhënë mbështetjen pakusht popullit të Ukrainës që ndodhen përballë agresionit të pashembullt nga Rusia. Është urimi im i PD dhe opozitës, jam i bindur it ë gjitha bashkatdhetarëve tanë që populli ukrainas do të vazhdojë të luftojë dhe ta shohë këtë akt mbështetje nga ne si një mbështetje të të gjithë kombit shqiptar. Ne shqiptarët jemi kombi i fundit që e kemi ndjerë në palcë, dhimbjen, masakrën nga makineria e luftës së Millosheviçit ndaj qytetarëve në Kosovë. Me ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e kombeve të lira gjithmonë shpërblen. Këto janë ditë të errëta për Ukrainën, Europën që lufton të jetojë në paqe. Ajo që po ndodh sot është një luftë që na përfshin të gjithëve. Viktimat janë familjarë, prindër, të moshur për të cilët të gjithë ndihemi përgjegjës. Me këtë rezolutë i japim përfaqësisë tonë në KS shtysën për të bërë çdo gjë me aleatët për t’i dhënë fund kësaj çmendurie. Askush nuk duhet të ketë dyshim se çmenduria e Putin është një akt i beftë e i paplanifikuar”, tha Basha.
Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend i është kushtuar projektrezolutës në mbështetje të Ukrainës, ndërsa të gjithë deputetët kanë vendosur fjongo me ngjyrat e flamurit blu dhe të verdhë.
Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov është i pranishëm këtë të hënë në seancën plenare të Kuvendit.
Projektrezoluta “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE” pritet të miratohet sot.
Top Channel