Lufta në Ukrainë, pse Kherson dhe Mariupol janë çelësi për suksesin e rusëve

04/03/2022 21:31

Ndërsa trupat rusë të vendosur në veri dhe lindje të Ukrainës, po hasin vështirësi në marrjen e Kievit dhe pikave të tjera strategjike, përparimi i tyre në jug duket të jetë më i suksesshëm.

Rusia e sheh jugun si kyç për suksesin e pushtimit , ndërsa ka marrë edhe termocentralin e Zaporizhzhisë, që është më i madhi në Europë.

Operacioni në jug nisi nga Krimea, e cila është aneksuar nga Rusia në 2014, dhe ku ka vendosur prezencë të madhe ushtarake të sajën.

Trupat ruse po lëvizin në Ukrainë nga Krimea, duke u përhapur në lindje drejt Mariupolit dhe në perëndim drejt Odesës, duke kërcënuar të ndërpresin hyrjen detare të Ukrainës.

Nëse Mariupol bie, do t’i jepte Rusisë kontrollin e një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe rajoneve të mbështetura nga Rusia të Luhansk dhe Donetsk.

Lidhja e Krimesë me Rusinë kontinentale nëpërmjet zonave të kontrolluara nga rebelët do ta bënte shumë më të lehtë për Rusinë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në dhe nga Krimea. Rusia e ka kërkuar këtë që nga viti 2014, kur filloi konflikti në lindje.

Aktualisht gadishulli është i lidhur me kontinentin rus vetëm nëpërmjet një ure të vetme, e ndërtuar me shpenzime të mëdha pas aneksimit rus.

Ushtria ruse ka pushtuar gjithashtu qytetin Kherson, i cili ndodhet aty ku lumi Dnieper takohet me Detin e Zi, një vend i rëndësishëm për trupat që të lëvizin më tej në Ukrainë.

Nëse Rusia është në gjendje të lëvizë më në perëndim, në Odesa dhe më gjerë, ajo jo vetëm që do të ndërpresë hyrjen e Ukrainës në det, por edhe do ta rrethojë vendin nga tre anët.

Në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë, presidenti rus Vladimir Putin pretendoi se megjithëse Rusia humbi territorin e Novorossiya për arsye të ndryshme, njerëzit e saj mbetën atje.

Top Channel