Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të heqë masën policore, e cila ndalonte qarkullimin e qytetarëve nga ora 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit me përjashtim të rasteve emergjente.

Që prej 3 marsit qytetarët mund të lëvizin lirshëm në vend, duke theksuar zbatimin e distancës dhe mbajtjes së maskës në ambiente të mbyllura apo në vende ku nuk mund të mbahet distanca.

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri thirrje për vaksinim, duke theksuar se rënia e kurbës së infektimeve ka ardhur prej ndërgjegjësimit të qytetarëve, të cilët zgjodhën që të imunizohen.

“Ka një përmirësim të qëndrueshëm në vend, niveli i masave vijon të mbetet i tillë, ata që janë të infektuar do të qëndrojnë të izoluar për 5 ditë. Ngelet në fuqi mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura dhe aty ku nuk mund të mbahet distanca. Përmirësimi i kësaj situate vjen nga procesi i vaksinimit. Duhet të vijojmë me intensitet procesin e vaksinimit dhe që në moshën 12 vjeç të fillojmë të bëjmë vaksinën”, tha Rakacolli.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga Covid-19 deri në pesë ditë, ndërsa më parë rekomandoi që doza e tretë përforcuese e vaksinës të kryhet pesë muaj pas dozës së dytë.

Shefja e Infektivit, Najada Çomo tha se shifrat e të shtruarve në spitale kanë rënë, por vijojnë të marrin trajtim pacientë që kryesisht janë të pavaksinuar.

Një muaj më parë kemi pasur 175 pacientë ndërsa tani është 50 të shtruar. Pjesa më e madhe e tyre, 70% janë forma të rënda, pjesa tjetër janë forma kritike. Të shtruar në spital janë njerëz të pavaksinuar. Pavarësisht se kemi ulje të të shtruarve në spital, kemi vdekje çdo ditë dhe nëse këta persona do ishin vaksinuar, numri i humbjeve të jetës do të ishte shumë më i ulët”, tha Çomo.

Vendi ynë dhe e gjithë bota vijon të jetë nën kthetrat e pandemisë së koronavirusit. Java e fundit e shkurtit ka shënuar ulje të rasteve me COVID në vend, ndërsa aktualisht janë 2,211 raste aktive.

266,019 qytetarë të prekur me koronavirus kanë fituar betejën, kurse personat që kanë humbur jetën që prej fillimit të pandemisë janë 3,472.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA