Kursimet e bizneseve e individëve arrijnë tjetër rekord në janar, kalojnë 10 miliardë euro

28/02/2022 10:18

Depozitat e individëve, bizneseve dhe institucioneve të tjera në sistemin bankar shënuar një tjetër rritje në janar, duke arritur një nivel të ri historik rekord.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kursimeve në banka në fund të janarit 2022 ishte 1.23 trilionë lekë, ose më shumë se 10 miliardë euro. Në krahasim me dhjetorin, kursimet u rritën me 1.5%, ose 18 miliardë lekë më shumë.

E gjithë rritja ka ardhur nga valuta, ndërsa kursimet në lekë shënuan një rënie të lehtë. Depozitat në monedhën e huaj u zgjeruan me 2.7% (+18 miliardë lekë) në raport me fundin e vitit të kaluar. Shtimi i depozitave në valutë erdhi si nga individët ashtu dhe nga bizneset.

Në të kundërt, bizneset dhe institucionet jo financiare publike ulën depozitat e tyre në lekë, ndërsa për individët stoku mbeti pothuajse i pandryshuar.

Më bazë vjetore (në krahasim me janarin 2021), depozitat në banka janë shtuar me 10.8%, ose 120 miliardë lekë (gati 1 miliard euro) më shumë. Mbi 80% e kësaj rritjeje ka ardhur nga valuta, e nxitur si nga bizneset ashtu dhe nga individët.

Të dhënat historike të bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e kursimeve në banka është përshpejtuar ndjeshëm dy vitet e fundit (2020-2021), pasi në periudhën 2017-2018 shënuan rënie për herë të parë në historinë e pas tranzicionit dhe ngadalësimit të ndjeshëm në 2013-2016. Gjatë vitit pandemik kursimet u nxitën nga monedha vendase, teksa individët nuk kishin shumë mundësi të shpenzonin, ndërsa në 2021 ishte valuta ajo që udhëhoqi rritjen.

Gjithsesi, edhe kursimet në lekë po rriten tre vitet e fundit, pas rënies së tyre që u nxit nga lehtësimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë nga viti 2011, me uljen e vazhdueshme të normave të interesit. Kjo bëri që individët të mos kishin interes të depozitonin kursimet me afat të gjatë. Tashmë politika monetare pritet të ndërrojë kah, si rrjedhojë e inflacionit të lartë, që mund të bëjë Bankën e Shqipërisë të rrisë për herë të parë normën e interesit bazë që prej një dekade, çka do të reflektohet në kthime më të larta edhe për depozitat në monedhën vendase.

Valuta mbetet monedha më e preferuar për të kursyer, e ndikuar dhe nga prurjet e emigrantëve. Në janar 2022, rreth 55.2% e kursimeve ishin në valutë, kryesisht në euro, nga 53.6% të njëjtën periudhë të një viti më parë./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA