Burime ekskluizve të Top Channel pranë Ministrisë Greke të Marinës Tregtare, thanë se djegia e anijes italiane Euro Ferry Olimpia që prej orëve të para të datës 18 shkurt në ngushticën mes ishullit të Korfuzit dhe brigjeve Shqiptare, ka shkaktuar ndotje ekologjike, për të cilën pala jonë duket se nuk është njoftuar.
Madje nga porti i Barit janë nisur me urgjencë dy anije të posaçme kundër ndotjes së ambientit, të cilat kanë operuar deri mbrëmjen e së dielës në brigjet shqiptare ku edhe kryen pastrime në sipërfaqe të kufizuara detare në veri të brigjeve të Sarandës dhe deri në Himarë.
Mësohet se paraditen e datës 18 shkurt,në kohen që anija Euro Ferry Olimpia ndodhej në 4.6 milje nga brigjet shqiptare dhe në të po tentohej të shuhej zjarri,në zonë ka fluturuar një avion i Guardia di Finazza,i cili ka konstatuar ndotje nga nafta në zonë.
Menjëherë në zonë janë dërguar dy anijet për të kryer pastrime. Ajo çka ngre dyshime,është fakti se pala italiane nuk ka dashur të bëjë shumë publik rastin,ndaj dhe operacionet fillimisht nuk janë bërë publike, por të gjendur nën presion mediatik Roma zyrtare ka pohuar për momentin se dy anije kanë qenë në zonë dhe kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit.
Por teknologjia duket se ka “tradhtuar” qëndrimin e tyre, pasi vetëm duke kontrolluar itinerarin e lëvizjes së tyre në brigjet shqiptare,mund të vihet re me lehtësi se dy anijet italiane kanë qenë shumë larg vendit të kryej fikja e zjarrit dhe nuk morë fare pjesë në operacionet e shpëtimit të cilat janë marrë totalisht në dorë prej rojës bregdetare greke.
Askush nuk e di nëse pala italiane ka njoftuar palën shqiptare për përmasat e ndotjes dhe nëse do të ketë impakt në faunën e zonës,si dhe dëmin që me gjasa do ti jetë shkaktuar brigjeve tona nga kjo ndotje.
E ndërsa pala shqiptare me gjasa nuk është informuar,duket se Roma zyrtare ka pranuar e pyetur nga mediat vendase se në zonë janë dërguar dy anije të cilat po kryejnë operacione.
‘Ubaldo dicioti” dhe “Levoli White quhen dy anijet që kanë operuar në zonë. E para është anije anti-ndotje e Guardia di Finazza, ndërsa e dyta anije e kompanie private.
Për të parë detaje të operacioneve të tyre,mjafton të hedhesh një sy në itinerarin e tyre në faqen marine traffic.
Prej të dhënave të GPS duket qartë se ato kanë mbërritur në zonë në datën 18 shkurt dhe kanë lënë brigjet shqiptare pasditen e së dielës për t’ju drejtuar portit të Barit për furnizim dhe me gjasa do të rikthehen, këtë herë në ishullin e Korfuzit për të ndihmuar në pastrimin e zonës greke.
Diferenca është se palës greke i është njoftuar vullneti i palës italiane për pastrimin e brigjeve greke nga ndotja eventuale e brigjeve,madje Athina zyrtare ka filluar kontaktet me shoqëritë e sigurimeve të anijes,me qëllim të vjelë dëmshpërblimin prej tyre të dëmit ekologjik që Euro Ferry Olimpia do t’i shkaktojë brigjeve greke.
Ndërkohë që Grimaldi Lines thotë se nuk ka rrjedhje nafte nga anija. Dihet që në serbatorë anija ka pasur gjendje 700 tonë naftë dhe 30 tonë vaj lubrifikant si dhe një sasi disa tonë kimikate nënprodukte nafte që shërbenin për funksionimin e saj. Operacionet e pastrimit kanë nisur më 19 shkurt ora 21.45.
Top Channel