Shqiptarët që punojnë rregullisht në Zvicër do përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës

18/02/2022 16:33

Shtetasit shqiptarë që punojnë rregullisht në Zvicër do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka nënshkruar marrëveshjen në fushën e mbrojtjes shoqërore me ministrin e Çështjeve të Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Zvicrës, Alain Berset.

Shtetasit shqiptarë që punojnë rregullisht në Zvicër, do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës, duke mos humbur asnjë ditë nga periudha kontributeve.

Gjatë fjalës së saj Ibrahimi ka falënderuar shtetin e Zvicrës për të gjithë ndihmën ndaj Shqipërisë duke u shprehur se 2 mije shtetasit shqiptare që punojnë rregullisht në Zvicër, tashmë do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës, duke mos humbur asnjë ditë nga periudha kontributive.

“Nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen shoqërore, ndër vite shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Zvicër kanë pasur një problematikë, janë rreth 2 mijë shtetas shqiptarë që do të përfitojnë njohjen e pensioneve. Miratimi i marrëveshjeve në parlamente, ku për një periudhë sa më të shkurtër ta kalojmë në parlament dhe të marrin dekretimin nga presidentët dhe në atë moment do të përfitojnë shqiptarët”, tha Ibrahimaj.

Ministri për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale të Zvicrës, Alain Berset tha se kjo marrëveshje do të sjellë ndryshime pozitive për dy vendet.

“Është gjithë përfshirëse dhe krijon një bazë bashkëpunimi dhe jam besimplotë se kjo sjell ndryshime pozitive për qytetarët tanë dhe të shkëmbimeve ekonomike. Procedura do të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur. Në takimin që patëm me zv.kryeministrin, diskutuam që Shqipëria dhe Zvicra janë të dyja të zotuara për Këshillin e Sigurimit në OKB, dhe ne jemi kandidate për të njëjtin status dhe ne do të bashkëpunojmë brenda këshillit me palën shqiptare. Mirëpresim përpjekjet dhe reformat në Shqipëri, Reformën Zgjedhore dhe Reformën në Drejtësi dhe janë shumë të rëndësishme dhe ne mbështetim dhe besojmë që do të hedhim një hap përpara”, tha Berset.

Top Channel