Grupet e shpëtimit po punonin sot për të shpëtuar një nëntë-vjeçar të tmerruar që është bllokuar në një pus 10 metra të thellë prej dy ditësh në Afganistan.
Djali i njohur në vend si Haidar, ka rënë në pusin e thellë dhe punonjësit po gërmonin duke tentuar të arrijnë te ai në fshatin Shokok në provincën jugore afgane të Zabul.
Operacioni vjen dy javë pasi tentativa e ngjashme për të shpëtuar pesë-vjecarin Rayan Awram nga një pus më i thellë përfundoi në tragjedi në Marok, pasi mbeti i bllokuar për katër ditë në thellësi prej më shumë se 30 metra nën tokë.
“A je mirë biri im?” dëgjohet babai i djalit në pamjet e publikuara nga vendngjarja. “Fol me mua dhe mos qaj. Jemi duke punuar për të të nxjerrë”, thotë më tej i ati.
“Mirë, do të vazhdoj të flas”, përgjigjet djali me një zë ankese.
Video u regjistrua nga punonjësit e emergjencës duke ulur një kamera me litar në pusin e ngushtë.
Zyrtarët lokalë thanë se djali duket se ka mbetur në thellësi prej pak më shumë se 10 metra në galerinë e gjatë rreth 25 metra.
Grupet e shpëtimit po gërmonin një hendek paralel me pusin për të arritur në vendin ku është bllokuar fëmija.
Tentativa duket e njëjtë me atë të tentuar nga grupet në Marok në fillim të muajit kur i ndjeri Rayan ra në pusin 32-metra jashtë shtëpisë së tij në provoncën veriore Chefchaouen.
Por në atë rast, grupet e shpëtimit arritën te djali i vogël vetëm pas katër ditësh kur ai nuk mund të risillej në jetë.
Top Channel