Stoltenberg paralajmëron Moskën: Nuk shohim lëvizje në kufi, mos bëni numra

15/02/2022 18:00

“Nuk kemi parë asnjë shenjë në terren që të konfirmojë pretendimet ruse se janë duke tërhequr trupat nga kufiri më Ukrainën, edhe pse ka sinjale nga Moska që dëshmojnë se janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun për t`i lënë hapësirë shpresës se kriza në rajon do të shmanget”, deklaroi shefi i Nato-s, Jensi Stoltenberg, i cili theksoi se Rusia ka grumbulluar forca ushtarake përreth Ukrainës në një shkallë të paprecedentë që prej Luftës së Ftohtë, dhe se gjithçka është gati për një sulm të ri.

Ka sinjale nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë. Kjo na jep hapësirë për optimizëm të matur. Por, deri më tani nuk kemi parë asnjë shenjë të shtensionimit të situatës në terren nga pala ruse”, tha Stoltenberg.

Numri një i aleancës nënvizoi se Rusia ka ende kohë  të tërhiqet, të ndalojë së përgatituri për një luftë dhe të punojë për zgjedhje paqësore të situates.

Lajme kontradiktore mbërritën më herët lidhur me lëvizjet në kufi: mediat amerikane tregonin se disa njësi ruse po lëviznin duke avansuar drejt kufirit më Ukrainën, ndërsa ministria ruse e mbrojtjes doli me pretendimin se në fakt, disa trupa të saj për tërhiqeshin në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake.

Megjithatë, sipas CNN, manovrat në zonë kanë vazhduar e madje ka pasur edhe  lëvizje të nëndetëseve dhe anijeve amfibe në Detin e Zi. SHBA beson se Rusia do ta sulmojë Ukrainën brenda javës, edhe pse nuk është ende e sigurtë se cfarë forme do të ketë sulmi.

Në momentet që ai nis, informacionet e Shteteve te Bashkuara mbi manovrat e Moskës, do të reduktohen ndjeshëm.  Amerikanët nuk do të kenë trupa në tokë dhe asnjë avion zbulimi në ajër, ndërsa sulmet kibernetike ruse dhe lufta e tyre elektronike do të bëjnë që komunikimet të fshihen.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia tani ka 80% të forcave që do t’i nevojiten për të nisur një pushtim në shkallë të plotë dhe pjesa tjetër janë rrugës.

Top Channel