Sot në emisionin “Live from Tirana”, në Top Albania Radio ishte e ftuar në studio këngëtarja e njohur Ronela Hajati e cila së shpejti pritet të përfaqësojë vendin tonë në Eurovision me këngën “Sekret”.
Ronela na tregoi më shumë për xhirimet e klipit të këngës.
Ndërkaq, cilat janë disa nga këshillat që Ronela ka marrë në lidhje me se si duhet të qaset ajo ndaj Eurovisionit?
“Unë kam kokë shumë të fortë, kam idetë dhe vizionet e mia dhe nuk ka burrë nëne të m’i ndërrojë. Kështu jam gatuar që fëmijë, doja të bëheshin gjërat fiks siç i doja unë. Mua nuk më pëlqen që e trajtojnë Eurovisionin si festival folklorik, etno, dil me daulle, qeleshe. Ky është festival evropian, çfarë nuk të zë syri nga performancat, njerëz me lloj lloj gustosh, me veshje, ngjyra të ndryshme dhe ne të shkojmë përvit me qeleshe dhe daulle. Mund ta bëjmë këtë gjë shumë mirë brenda Shqipërisë sonë, pavarësisht se kënga ime në gjithë kuptimin e saj ka motive etnike. Unë nuk mbeta ta tregoj në Eurovision sa shumë e dua vendin tim, e tregoj që punoj dhe jetoj këtu dhe nuk kam ikur si shumë të tjerë.
Kudo ku iki më merr malli, dua të kthehem, ta krijoj mundësinë që të jetojë mirë në vendin tim. Ne nuk duhet ta marrim që nëse nuk fitoj nuk vlej, sepse unë nuk do të fitoj atje. Nëse duan të më përkrahin lë ta bëjnë, nëse nuk duan mos ta dëgjojnë këngën. Unë nuk do ta fitojë kurrë Eurovisionin, nuk pres ta fitojë, unë kam dëshirë të jem në finale, ta këndoj dy herë. Kisha shumë njerëz që ishin kundër këngës time, është çështje gustosh, nuk ka asnjë problem mos ta pëlqesh këngën time por jemi njerëz agresiv në komente. Ofendimet më duken tendencioze, të marra personale. Unë mendoj që kush ia del në Shqipëri ia del në të gjithë botën”.
Top Channel