Veliaj apel familjeve që preken nga 5 maji: Firmosni kontratat për kompensimin dhe bonusin e qirasë

10/02/2022 19:07

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje familjeve të “5 majit”, të cilat nuk kanë nënshkruar ende kontratat me Bashkinë e Tiranës për kompensim dhe bonusin e qerasë, që të firmosin marrëveshjen.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku u miratua vendimi për pagesën e qirasë sipas vlerës së tregut të lirë për këto familje, Veliaj tha se qeveria dhe bashkia kanë bërë diçka të paprecedentë, si me legalizimin, ashtu edhe me kompensimin, duke përfshirë edhe banesat e atyre që kanë qenë të përjashtuara nga procesi i legalizimit.

“Ky shtet ka bërë diçka të paprecedentë, si me legalizimin, si me kompensimin e familjeve, edhe të atyre që janë të palegalizueshme. Vendimet i kemi marrë e do i qëndrojmë deri në fund. Sot kalojmë këtë bonus qiraje për familjet e reja që kanë firmosur kontratën. Më rezulton se vetëm 5-6% nuk e kanë firmosur kontratën, ndaj i ftoj të vijnë ta firmosin, të marrin bonusin e qerasë, e do të marrin metrat katrorë siç i kanë pasur, edhe pse 99% e qytetit ndihet e fyer nga ky lloj bullizmi që bën një pakicë e vogël ndaj një shumice që i ka votuar këto ligje, këtë qytet, këtë bashki, këtë Këshill Bashkiak dhe këtë qeveri”, deklaroi Veliaj

Kreu i Bashkisë u shpreh se qeveria ka vendosur që të kompensojë edhe ato familje të cilat kanë ndërtuar pa leje. “Me vendimet e qeverisë po ndodh një procedurë ku edhe nëse je zaptues, siç në kor ato familje e pranojnë se janë, edhe nëse ke ndërtuar në një vend që s’të legalizohet aspak, si në Breg të Lumit, siç ato familje e pranojnë që janë në këtë status, edhe nëse nuk i ke çuar fare letrat e legalizimit, apo nuk e ke filluar fare procedurën e legalizimit sikurse ato familje e pranojnë që janë, i merr metrat katrorë siç i ke. Pra, nëse ke 300 metra katrorë ndërtim dhe 200 metra katrorë prone, ti merr 500 metra katrorë. Sot zonja që u takua me kryeministrin merr 356 metra katrorë pallate të Stefano Boerit. Ta ngrejë dorën njëri në Këshill Bashkiak që ka 356 metra katrorë të Stefano Boerit në këtë qytet. E di që po nënqeshni të gjithë por ja, këtu kemi mbërritur”, u shpreh Veliaj.

Veliaj nënvizoi se ky është dhe dallimi mes mazhorancës aktuale dhe asaj të shkuar. Ai nënvizoi se është treguar një vëmendje e veçantë që çdo familje që preket nga projekti të dëmshpërblehet 100 për qind. “E kuptoj, kur një shtet si ai që kishim përpara të vinte rruspën e s’të jepte asgjë, se pavarësisht se si e ke ndërtuar, ti diku do jetosh. Unë i mirëkuptoj edhe ata të tërmetit të cilët thonë: Pse mua më gjykon për kurorë, kurse këta i gjykon për metra katrorë? Kjo e ndan këtë mazhorancë nga të tjerat. Ne të majtët themi se pavarësisht statusit, ne terezinë nuk ta prishim. Përkundrazi, në treg, këto banesa janë si dita me natën, dhe si vlerë nuk janë të njëjtat metra katrorë, se tjetër gjë metra katrorë kasolle dhe tjetër gjë ndërtim modern i 2022”, deklaroi Veliaj.

Veliaj u ndal dhe tek kërcënimet që ka marrë nga disa subjekte të OFL-së për projektin e “5 Majit”. “Kjo histori që unë edhe zaptoj edhe nuk kënaqem, edhe nuk të lë të punosh, kjo nuk mund të funksionojë më. Ai që do na vriste me kallash ishte me Porsche. Ti nuk je fukara, e megjithatë edhe pse gënjen, ne po ta japim përsëri bonusin e qerasë. Ajo që më vret kur bëhen fjalime të tilla e kur kërkoj vota të tilla është: Çfarë mendojnë ata që nuk e kanë shkelur asnjëherë ligjin?”, nënvizoi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA