Helmimi i 1500 qytetarëve në Deçan, nën akuzë drejtori teknik dhe kimistja e kompanisë së ujit të pijshëm

07/02/2022 14:28

Dy zyrtarë të kompanisë rajonale “Hidrodrini” janë nën akuzë për helmimin e qytetarëve në Deçan vitin e kaluar.

Prokurori Dorian Juniku në një konferencë për mediet tha këtë të hënë se aktakuza është ngritur ndaj drejtorit teknik dhe kimistes së kompanisë “Hidrodrini”. Ata dyshohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitim të rrezikut.

Sot më 7 shkurt 2022 kam ngritur në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale ‘Hidrodrini’ në Pejë. Atë kundër drejtorit të Departamentit Teknik për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe kundër kimistes të po kësaj kompanie për veprën penale mos evitimi i rrezikut”, tha ai.

Në bazë të raporteve, prokurori Juniku tha se helmimi ka ndodhur nga mungesa e klorit dhe testimeve të pakta dhe jo të rregullta të pusetave.

Muaji korrik i vitit 2021 nuk ishte i lehtë për qytetarët e komunës së Deçanit dhe dhjetë fshatrave përreth dhe po ashtu as për ne si prokurori. Aso kohe hiç më pak se 1500 qytetarë kishin kërkuar ndihmë mjekësore në mesin e tyre edhe 51 fëmijë. 872 kanë pasur simptoma që i referohen helmimeve nga uji i pijshëm dhe raporti i gastroenteritet epidemiologjik të IKSHPK-së është konstatuar se të njëjtit kanë pasur bakteri esheriakoli dhe bakterin e njohur si novovirus e shkaktuar nga mungesa e klorit dhe testimeve shumë të pakta dhe aspak të rregullta, ashtu siç përcaktohet në udhëzimet administrative të ‘Hidrodrinit“, tha ai.

Lidhur me dyshimet për implikimin dy personave të nacionalitetit serb në helmimin e qytetarëve në Deçan, prokurori Juniku tha se nuk ka rezultuar se janë të përfshirë në këtë rast.

Në kohën kur janë identifikuar dy personat e nacionalitetit serb dhe kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi punuar me kujdes të shtuar dhe profesionalizëm të lartë. Kemi bashkëpunuar ngushtë edhe me organet e sigurisë, mirëpo në fund ka rezultuar se njëjtit nuk janë të përfshirë me rastin në fjalë”, përfundoi ai.

Në verën e vitit të kaluar rreth 1500 qytetarë nga Deçani kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit nga uji i pijshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA