Gjirokastër/ Tentuan të kultivojnë bimë narkotike, policia arreston dy anëtarët e tjerë të grupit

03/02/2022 11:56

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion policor të koduar ‘Ndalesa’, në kuadër të të cilit janë vënë nën pranga 2 shtetas.

Këta shtetas në bashkëpunim me tre persona të tjerë të cilët janë arrestuar 6 muaj më parë, kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në një ambient të hapur në fshatin Këllëz.

Si rezultat i operacionit ‘Ndalesa’ është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasit H. B., 43 vjeç, banues në Gjirokastër dhe M. B., 66 vjeç, banues në fshatin Qesorat, Gjirokastër.

Këta dy shtetas dyshohet se janë bashkautorë të ngjarjes së ndodhur në muajin gusht të vitit 2021, midis fshatit Këllëz dhe Dhoksat, Gjirokastër, në një ambient publik, ku u gjetën 1700 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Në muajin gusht të vitit 2021, në kuadër të këtij procesi hetimor, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas tjetër. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel