”Dita D”: Mijëra trupa amerikane zbarkojnë në lindje të Europës-“aleatët nuk preken”

03/02/2022 20:40

Presidenti Joe Biden e dha më në fund urdhrin që prisnin aleatët e SHBA-së në lindje të Europës: 3 mijë trupa amerikane u dislokuan pas vendimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, me qëllimin t`u sigurojnë aleatëve të NATO-s mbrojtje në mesin e tensioneve me Rusinë mbi Ukrainën.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby njoftoi se një pjesë e ushtarëve vijnë nga Shtetet e Bashkuara, të tjerë ishin ndërkohë në Europë por do të zhvendosen. KJo është e para zhvendosje masive e forcave amerikane në përgjigje të krizës.

John Kirby, zëdhënës i Pentagonit: Presidenti Biden ka qenë i qartë se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen kërcënimit në rritje ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Europës. Angazhimi ynë ndaj Nenit 5 të NATO-s dhe mbrojtjes kolektive mbetet i hekurt. Si pjesë e këtij angazhimi dhe për t’u përgatitur për një sërë situatash të paparashikuara, Shtetet e Bashkuara së shpejti po lëvizin forca shtesë në Rumani, Poloni dhe Gjermani.

Të gjithë trupat do të jenën nën komandën e SHBA-së. Në një takim të shkurtër me gazetarët, Biden tha se lëvizja e tij përputhej plotësisht me ato që i kishte thënë Vladimir Putinit që në fillim.

“Përsa kohë ai sillet me agresivitet, ne do t`u tregojmë aleatëve tanë të NATO-s dhe atyre në Europën Lindore se jemi aty për ta; neni 5 është një detyrim i shenjtë”. Rusia reagoi duke e cilësuar dislokimin si “shkatërrimtar”.

“Hapa shkatërrues që nuk justifikohen nga askush; ato vetëm rrisin tensionin ushtarak dhe ngushtojnë hapësirën për zgjidhje politike të problemit”, tha zv/ministry i jashtëm rus, Alexander Grushko, i cituar nga agjensia Interfax.

Administrata e Presidentit Biden synon të demonstrojë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara pa minuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën. Presidenti Biden qëllimisht nuk ka dërguar përforcime ushtarake në tre vendet baltike në krahun lindor të NATO-s, në Estoni, Letoni dhe Lituani, të cilat kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

Asnjë ushtar amerikan nuk po dërgohet në Ukrainë dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha të mërkurën se administrata nuk e konsideron më rrezik “të menjëhershëm” pushtimin rus të Ukrainës, sepse kjo shprehje do të nënkuptonte që Uashingtoni e di se zoti Putin ka marrë një vendim për të pushtuar fqinjin e tij.

Top Channel