Karburantet janë shtrenjtuar sërish ditët e fundit duke rënduar më tej buxhetet e familjeve shqiptare.

Nafta së fundmi duket se po i afrohet nivelit të 200 lekë për litër. Në disa pika të karburanteve në kryeqytet nafta shitet për 193 lekë, duke u shtrenjtuar me gati 8 lekë në raport me rritje e fundit.

Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku nafta tregtohej për rreth 148 lekë litri, qytetarë po e blejnë atë aktualisht me rreth 45 lekë më shtrenjtë.

Rritja ka vijuar edhe për benzinën. Aktualisht, në pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve benzina tregtohet për rreth 195 lekë për litër duke shënuar një shtrenjtim të ngjashëm me naftën, teksa nuk ka ndalur shtrenjtimin as çmimi i gazit. Ky i fundit në disa nga karburantet shitet për rreth 94 lekë për litër.

Tendenca e rritjes së çmimeve të karburanteve nuk është ndalur që prej shkurtit të vitit të kaluar, ku që prej asaj kohe janë shtrenjtuar në mënyrë graduale edhe si rrjedhojë e luhatjeve në bursa, ku aktualisht nafta tregtohet nw rreth 90 dollarë për fuçi dhe pritet një tjetër shtrenjtim i mundshëm edhe si pasojë e shqetësimeve në rritje për shkak të tensioneve gjeopolitike me Rusisë dhe Ukrainës.

Veç këtij faktori, luhatja e çmimeve të karburanteve në vend duket se po reflekton edhe ndryshimet e paketës fiskale me vendosjen e taksave të reja, kryesisht prej indeksimit të akcizës në bazë të inflacionit që ka hyrë në fuqi prej janarit të këtij viti.

Ndërkohë, nga 1 korriku 2022 do të marrë fuqi edhe ndryshimi ligjor për unifikimin e akcizës së gazit në 6 lekë për litër për të gjitha llojet e përdorimit, çka pritet të sjellë rritje të mëtejshme të çmimit të tij.

 

Top Channel