Zgjedhjet lokale në 6 bashki, KQZ: Janë të regjistruar mbi 648 mijë zgjedhës dhe do kushtojnë 180 milionë lekë

21/01/2022 13:02

Zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit që pritet të mbahen me datë 6 mars do të kushtojnë 180 milionë lekë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi tha se në këto gjashtë bashki do të aplikohet identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë do të aplikohet edhe votimi elektronik.

E kemi një eksperiencë në Tiranë. Qëllimi është ta aplikojmë votimin elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë, por do ta diskutojmë me partitë politike” u shpreh ai.

Sipas KOZ-së në këto gjashtë bashki janë të regjistruar 648.536 zgjedhës, do të ketë 13 KZAZ dhe 940 Qendra Votimi.

Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.

Dekreti i Metës është i vonuar, pasi Kodi Zgjedhor sanksionon se zgjedhjet mbahen “jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.

Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.

Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.

Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.

Top Channel