Administratori i shkollës private ‘Wilson ’, Lulzim Masha i shpëtoi një atentati të martën e kaluar në një rrugicë buzë Liqenit Artificial. Në drejtim të automjetit të tij u qëllua 3 herë me pistoletë, por 63-vjeçari nuk mori lëndime.
Top Channel ka zbardhur dëshminë e Lulzim Mashës dhënë në polici. Sipas gazetares Anila Hoxha, Lulzim Masha, i cili administron shkollën private “Wilson”, i pyetur nga policia ka pranuar se prej 6 apo 7 ditësh kishte vënë re që po e ndiqte një person i panjohur.
“Ky person më ka ndjekur mes datave 23 dhjetor 2021 dhe kam vënë re që më ndiqte me sy në afërsi të shkollës”.
Masha, i cili u qëllua me armë zjarri teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip Benz sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha ka përshkruar detajet e këtij personi që është mes moshës 25- deri në 30 vjeç, mbante veshur një kapele në ngjyrë të zezë, pantallona xhinse jo shumë të errëta, me pak mjekër, esmer.
Grupi i hetimit i tha Anila Hoxhës se në vendngjarje në afërsi të lokalit “A/..”u këqyr mjeti me të cilin po udhëtonte Masha ku është konstatuar në pjesën e papafingos një vrimë tejshpuese. Kurse në brendësi të mjetit u gjendën bërthama metalike të predhës të deformuar.
Gjatë deklarimit para policisë, sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, dëshmia e tij konsiston jo vetëm në përshkrimin e autorit, por edhe në momentet që ai e qëlloi.
63 vjecari i tregon grupit të hetimit rutinën, ku mbasi kishte qenë tek berberi, kishte zbritur për të marrë makinën në garazh.
“Mora makinën për të shkuar në punë mbasi jam administrator i shkollës “Wilson”, thotë Masha.
Ai tregon se afër lojërave për fëmijë nga ana e trotuarit, një djalë i ri e ka goditur me armë, duke folur diçka nëpër dhëmbë dhe duke qëlluar njëkohësisht në drejtim të tij.
“Unë kam dëgjuar të shtënat, shton 63-vjeçari dhe jam larguar me shpejtësi nga vendi ku më ka gjuajtur, pastaj kam kthyer mjetin nga drejtimi nga iku personi dhe pasi kam parkuar mjetin në orën 9.42 minuta kam telefonuar policinë”.
Masha sipas Anila Hoxhës ka deklaruar se kërkon mbrojtje nga shteti, mbasi ai nuk ka asnjë problem, as ai dhe as familja e tij.
Mes dhjetëra personave që janë pyetur rezulton të jetë marrë nga grupi i hetimit edhe dëshmia e Fatmir Mashës, vëllai i Lulzim Mashës.
Sipas grupit të hetimit Fatmir Masha rezulton të ketë qenë më herët i dënuar nga gjykata e Tiranës me 15 vjet burgim për akuzën e vrasjes. Por sipas burimeve të Anila Hoxhës , ai ka mohuar të ketë dijeni për ngjarjen.
“Jam larguar nga Shqipëria në 1997 dhe u ktheva para 11 vitesh ku jeton dhe punoj pa asnjë problem. Sqaroj se kjo ngjarje nuk ka ndodhur absolutisht për shkak të të kaluarës sime”, thotë i vëllai.
Megjithatë një dëshmitare me inicialet A.K i tha policisë se Lulzim Masha ishte shprehur i shqetësuar për të vëllain “mbasi e kishte patur problematik dhe luante bixhoz”.
Dy persona që janë pyetur nga policia me inicialet B.R dhe A.A kanë këmbëngulur se gjendeshin rastësisht tek zona e liqenit dhe se nuk kanë dijeni.
Megjithatë, policia ju ka marrë atyre faktorët plotësues për qitje në duar.
Policia po e heton ngjarjen për akuzën e vrasjes së mbetur në tentative, kurse sipas burimeve të Anila Hoxhës, nëntë dëshmitarë të pyetur që gjendeshin në zonë kanë këmbëngulur se nuk kanë parë asgjë, por thjesht kanë dëgjuar një zhurmë.
Automjeti “Mercedes Benz” i pronarit të shkollës private ‘Wilson’ u qëllua në lëvizje, në një rrugicë buzë Liqenit Artificial. Autori që qëndronte në trotuar, shkrepi 3 herë pistoletën por Lulzim Masha nuk u prek nga asnjë plumb. 63-vjeçari administrator dhe pronar i shkollës private ‘Wilson’ udhëtonte i vetëm.
Top Channel