Nisin punimet për Unazën Veriore, Balluku: Përfundon në 11 muaj, shpresoj të ruajmë afatet. Tirana do të marrë frymë lehtësisht

19/01/2022 14:26

Në kuadër të projektet të Unazës së Madhe, kanë nisur punimet për ndërtimin e Unazës Veriore. Ministrja Belinda Balluku ishte në terren për të parë nga afër se si vijon puna duke theksuar se vijon të jetë problem pjesa e shpronësimeve për shkak se ka banesa të palegalizuara.

Ndër të tjera, Balluku u shpreh se koha e dorëzimit të veprës është 11 muaj dhe shtoi se është përfshirë gjelbërimi e ndricimi duke qenë se do të jetë zonë e banuar.

Balluku: Me Unazën Veriore mbyllim 40% të unazës së madhe të Tiranës. Një nga kompleksitetet që kemi është pjesa e shpronësimeve dhe e lëvizjes së shtëpive që shumica e tyre janë të ndërtuara në mënyrë jo të ligjshme, por si në të gjithë rastet e tjera, do të marrim masat për të akomoduar edhe familjet që kanë banesa të palegalizuara.

Ndërsa Bashkia e Tiranës ka bërë disa ndërhyrje me të drejtë dhe këto rrugë i kemi kthyer dhe në zona urbane ku ka trotuar e ndriçim ndërsa rrugët dytësore janë të rëndësishme për të akomoduar kërkesat e zonave të banuara. Tirana sot është zhvilluar shumë dhe detyrimisht na duhet që të akomodojmë jo vetëm kërkesat e sotme por edhe të së ardhmes.

Kemi të bëjmë me projekte të mirëstudiuara me analiza të thella për të pasur sa më pak të papritura gjatë punimeve. Po shikoja në memon që kisha në duar që koha e dorëzimit të veprës është 11 muaj. Do thoja që është me të vërtetë një afat shumë ambicioz që shpresoj që ta mbajmë duke pasur parasysh dhe shpronësimet. Procedura që shteti bën është dypalëshe. Ne nuk i bëjmë vetëm, i bëjmë gjithmonë me pronarin e truallit që shpronësohet dhe vonesat që krijohen, krijojnë vonesa dhe në proces. Duke qenë se e kemi nisur punën para se të hapeshin kantieret kështu që shpresoj që të gjithë së bashku të ruajmë afatet. Nëse dorëzohet brenda një viti, Tirana do të marrë frymë lehtësisht dhe akset kombëtare do të lidhen në këtë unazë të përfunduar duke i dhënë frymëmarrje qytetit.

Nuk do të kemi më ato 3-4 pikat por unazën e madhe për tu shpërndarë që secili drejtues ka nevojë të shkojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA