Një gjykatë gjermane ka dënuar një ish-zyrtar të policisë sekrete të Sirisë për krime kundër njerëzimit, për shkak se ai kishte mbikëqyrur abuzimin e të arrestuarve në një burg në afërsi të Damaskut një dekadë më parë.
Vendimi i të enjtes po konsiderohet historik dhe është pritur për një kohë të gjatë nga sirianët që kanë vuajtur nga abuzimet apo që kanë humbur familjarët e tyre nën regjimin e Qeverisë së Bashar al-Assadit.
Gjykata shtetërore e Koblenz tha se Anwar Raslan ishte zyrtar i lartë, që kishte nën mbikëqyrje ndërtesën në qytetin Douma, të njohur si Al Khabit, ku mbaheshin protestuesit opozitarë.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm, raportuan mediet gjermane. Avokatët e të dënuarit, javën e kaluar kërkuan që gjykata të hedhë poshtë akuzat ndaj klientit të tyre, duke argumentuar se ai asnjëherë personalisht nuk kishte torturuar askënd dhe kishte dezertuar në fund të vitit 2012.
Prokurorët gjermanë kanë thënë se Raslan kishte mbikëqyrur “torturat sistematike dhe brutale” të më shumë se 4,000 të burgosurve në periudhën prill 2011 – shtator 2012. Sipas prokurorëve, nga torturat vdiqën dhjetëra persona.
Një zyrtar tjetër, Eyad al-Gharib ishte dënuar nga gjykata në Kolbenz vitin e kaluar për mizori dhe krime kundër njerëzimit me katër vjet e gjysmë burgim.
Të dy personat ishin arrestuar në Gjermani më 2019, pasi kishin kërkuar azil në këtë shtet.
Viktimat dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se shpresojë që ky dënim të jetë hapi i parë drejt drejtësisë për shumë persona, të cilët nuk kanë mundur që të kërkojnë drejtësi ndaj zyrtarëve në Siri apo para Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Që prej se Rusia dhe Kina kanë bllokuar përpjekjet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që rastet e abuzimeve në Siri të dërgohen në Tribunalin e Hagës, shtetet si Gjermania, që aplikojnë parimet e drejtësisë ndërkombëtare për krime të rënda, kanë nisur që të zhvillojnë gjykime për këto krime, thanë ekspertët./ REL
Top Channel