SHBA refuzon propozimin rus që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO

11/01/2022 02:44

Gjatë bisedimeve të sotme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, zëvendëssekretarja e Shtetit, Wendy Sherman e quajti “të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë” bisedën me përfaqësuesin e delegacionit rus, zëvendësministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov.

Negociatat në Gjenevë u zhvilluan me iniciativën e palës ruse. Më 17 dhjetor, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi një projekt-marrëveshje me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara për garancitë e sigurisë. Sipas kushteve ruse, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të krijojnë baza ushtarake në territorin e vendeve jo anëtare të NATO-s të ish-Bashkimit Sovjetik dhe aleanca duhet të ndalojë zgjerimin në lindje.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov i quajti negociatat “të vështira”. Ai tha se Moskës i duheshin garanci, jo premtime. Sipas tij, mos anëtarësimi i Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO është çështje e sigurisë kombëtare të Rusisë. “Është absolutisht e domosdoshme për ne që të sigurojmë që Ukraina nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s. Ne dëshirojmë që formula e miratuar në samitin e Bukureshtit më 2008 të tërhiqet dhe të zëvendësohet me sa vijon: ‘Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të bëhen kurrë anëtare të NATO”, tha Ryabkov.

Ai theksoi se Moska i kishte shpjeguar në detaje Uashingtonit logjikën e propozimeve të saj dhe shpjegoi pse marrja e garancive ligjore për mospërhapjen e NATO-s ishte një imperativ absolut. Ndërsa, Sherman tha se Shtetet e Bashkuara e kishin bërë të qartë në bisedimet për garancitë e sigurisë se ishin të gatshme të diskutonin instalimin e raketave në Evropë, por se nuk pajtoheshin me kufizimet për pranimin e vendeve të reja në NATO. Ajo theksoi se negociatat për çështjet e sigurisë nuk mund të përfundojnë në një periudhë të shkurtër kohore – në ditë apo javë.

“Kishte një diskutim sot për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, si dhe prioritetet dhe shqetësimet e njëri-tjetrit. Nuk quheshin kështu negociatat,” tha ajo. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara i ofruan Rusisë që të takohen për të diskutuar sërish për këtë çështje së shpejti
Sherman tha se gjatë bisedimeve, pala amerikane i la të kuptohet Rusisë se pasojat e pushtimit të Ukrainës do të jenë shumë më të rënda se në vitin 2014. Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara e përkufizojnë de-përshkallëzimin si kthimin e ushtarëve rusë në kazermat e tyre ose informimin e Shteteve të Bashkuara se çfarë ushtrimesh po kryhen në Rusi dhe cili është qëllimi i tyre.

“Ata mund të dëshmojnë se nuk kanë ndërmend të pushtojnë duke kthyer trupat në kazermë ose duke na thënë se çfarë ushtrimesh po kryhen dhe cili është qëllimi i tyre”, tha ajo duke shtuar se SHBA ende nuk e di nëse Rusia është gati për këtë lloj de-përshkallëzimi. Takimi mes delegacioneve ruse dhe amerikane zgjati rreth 7.5 orë dhe u mbajt me dyer të mbyllura.

Top Channel