Pritjeve të gjata në orët e para të mëngjesit dhe pasditeve ku qarkullimi i automjeteve është i shtuar duket se i ka ardhur fundi.

Trafiku që rëndonte qarkullimin në kryeqytet gjatë orëve të ditës është ulur ndjeshëm. Një ndër faktorët që ka ndikuar është ndalimi i mjeteve të rënda dhe betoniereve prej orës 06:00 deri në 20:00 të mbrëmjes, vendim ky i marrë së fundmi nga Bashkia e Tiranës.

Përmes një vëzhgimi Top Channel ndoqi nga afër situatën në disa akse kryesore si rruga e Elbasanit, kryqëzimi i 21 dhjetorit, zogu i zi që konsiderohen si njolla të zeza për trafikun, ku tashmë vihet re lëvizje e lirshme e makinave.

Në pikat hyrëse të kryeqytetit janë ngritur pika kontrolli që nuk lejojnë qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Arsyeja kryesore e kësaj vendimmarrje nga Bashkia e Tiranës është lehtësimi i trafikut sidomos gjatë mëngjesit kur nis dhe mësimi në shkolla.

Top Channel