Një krim i rëndë në familje ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Nënshat të Vaut të Dejës.

Mësohet se shtetasi Niko Hila ka vrarë me armë zjarri kallashnikov ish bashkëjetuesen e tij, shtetasen Gjyle Topalli, 40 vjeçe.

Ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së prindërve të viktimës në oborr. Ato të dy ishin prindër të një vajzë, ndërsa mësohet se edhe kjo e fundit ishte dëshmitare e kësaj ngjarje tepër të rëndë

Burime për Top Channel bëjnë me dije se shtetasja Gjyle Topalli dhe ish bashkëjetuesi i saj, Niko Hila, ishin ndarë prej një viti dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur konflikte dhe zënka të vazhdueshme mes tyre.

Hila ka qëlluar për vdekje ish bashkëjetuesen e tij në sy të vajzës dhe babait të viktimës, e më pas ai është kthyer në shtëpinë e tij dhe ka qëlluar veten me armë zjarri. 50-vjeçari ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë për jetën.

“Më datë 09.01.2022, rreth orës 16:44, në fshatin Nenshat, Bashkia Vau i Dejës, në rrethana ende të paqarta shtetasi N. H., rreth 50 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri ish bashkëjetuesen e tij, shtetasen Gj. T., 40 vjeçe.

Shtetasi N.H pas krimit dyshohet se ka tentuar të vrasë veten dhe për pasojë ka mbetur i plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.

Top Channel