Deputetët e grupit të Rithemelimit nga komisariati i policisë: Lironi të shoqëruarit e protestës

08/01/2022 21:45

Disa prej deputetëve të grupit të Rithemelimit të Sali Berishës kanë kërkuar nga komisariati nr 1 që protestuesit të cilët janë shoqëruar të lirohen.

Flamur Noka, i shoqëruar nga Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi  tha se protestuesit nuk kanë bërë asnjë dëm, por vetëm kanë hapur dyert e shtëpisë së tyre.

“Asnjë faj dhe asnjë dëm nuk kanë bërë. Thjeshtë dyert e mbyllura i kanë hapur dhe ky nuk quhet faj, kanë hapur dyert e dritaret e shtëpisë së tyre. Edi Rama sot tregoi se është kryetar i opozitës. Janë rreth 20 të ndaluar nga dita e sotme sepse hapën dyert e selisë. Dyer dhe dritaret që i kishin mbyllur dhe  i hapën. I bëj thirrje të ndalojmë këto lojëra. Në Shqipëri nuk mund të ketë opozitë të emëruar. Do të ketë një opozitë që duhet të përfaqësojë demokratët.

Sot ata demokratë që janë të mbyllur atje brenda kanë 6 akuza mbi kurriz. Pse? Se i prishën terezinë pengut të Ramës. Kemi parë gjyqe e arrestime të vrasësve por kurrsesi 6 akuza. Ku e katandisi PD-në pengu i Ramës. Regjimi sot tregoi fytyrën e tij. Banditë brenda selisë duke mbrojtur pengun dhe gardistët. Pse shteti arreston dhe burgos demokratët e lirë dhe nuk arreston bandat brenda selisë? Nuk do t’ia dalin. Të jenë të sigurtë që asgjë nuk do ta ndalë për të kthyer nga bunker në shtëpi lirie”, tha Noka për mediat.

Godina e selisë së Partisë Demokratike, u sulmua me forcë nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët iu përgjigjen thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Vetëm ndërhyrja e policisë arriti të qetësonte situatën e rëndë të krijuar, ndërsa u hodh gaz lotsjellës dhe ujë me autobote.

25 protestues dhe 8 persona që ndodheshin brenda selisë së Partisë Demokratike janë shoqëruar në polici për veprime të dhunshme.

Policia njofton se po vazhdon punën për identifikimin e shtetasve që dhunuan dhe shkatërruan pronën publike, gjatë protestës që mbajtën këtë të shtunë mbështetësit e Sali Berishës në selinë blu, ndërsa hetimet vijojnë me në krye kryeprokuroren Elizabeta Imeraj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA