Prindër e nxënës të një prej shkollave të rindërtuara pas tërmetit në bashkinë e Durrësit kanë reaguar sot, pasi shkolla nuk i ka hapur dyert e saj as këtë fillim viti.

Sot një pjesë e prindërve të fshatit Kullë në Durrës refuzuan t’i dërgojnë fëmijët me autobuz drejt shkollës pritëse në Rrushkull.

“Në nëntor na thanë se shkolla nuk do inagurohet. Për vit të ri na thanë që shkolla do hapet më 5 janar. Sot këtu po presim të gjithë dhe autobuzin e çuam bosh. Kemi 2 vjet që presim këtë shkollë të re dhe të bukur”.

“Këtu jemi për fëmijët tanë. Kërkojmë që shkolla të hapet. Shkolla është gati dhe nuk pranojmë që t’i çojmë fëmijët në Rrushkull. Gjendja në autobuz është katastrofë. Nëse është për 50 veta futen 150 veta”.

“Na lajmëruan përmes telefonave që fëmijët do të shkojnë prapë në Rrushkull. Atje nuk i kanë kushtet. Nuk e di pse heshtin”.

“Në 18.30 më vjen çuni në shtëpi. Jam në majë të kodrës. A të vij të ruaj fëmijën? A të shkoj në Rrushkull, a të marr fëmijën paradite?! Ç’është kështu?!”

“Për fëmijët tanë asnjë lloj sigurie nuk ka. Kemi parë skena me pistoleta e thika te shkolla në Rrushkull. Nëse nuk hapet shkolla jonë, nuk ka fëmijë në shkollë.”
“Jam maturant dhe qëkur është prish shkolla e kemi vuajtur këtë pjesë.”

“Kjo është shkollë që ka mbaruar se kam punuar vetë këtu.”

“Për ç’arsye e mbajnë peng këtë shkollë që nuk po hapet akoma. Ne duam që të na japin një datë të saktë.”

Shkolla e mesme e bashkuar “Ismet Nanushi“ numëron 770 nxënës dhe ka në përbërje të saj kopshtin, shkollën 9-vjeçare dhe shkollën e mesme.

Ajo është pjesë e shkollave që po rindërtohen në kuadër të programit EU4Schools financuar nga Bashkimi Europian. Me përfundim e plotë të punimeve, bashkia e Durrësit pritet të marrë në dorëzim objektin dhe autoritetet arsimore të përcaktojnë ditën e hapjes së shkollës.

Top Channel