Avokati Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, thotë se ai po mbahet në paraburgim me supozime se mund të ndikojë në zhvillimin e procedurave, ani pse deri tani nuk janë ofruar prova konkrete që e arsyetojnë këtë dyshim.
Sipas tij, Gjykata Speciale, të cilën e themeloi vet Kosova, nuk u beson institucioneve të shtetit. Në një intervistë për KosovaPress, avokati thotë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të fillojë në fund të këtij viti por kjo periudhë ende mbetët vetëm parashikim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, nga nëntori i vitit 2020 po vazhdojnë të qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë ndaj të cilëve rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte dhe përveç konferencave statutore, procesi gjyqësor ende nuk ka filluar.
Avokati Dastid Pallaska thotë se gjatë vitit të kaluar procesi është shoqëruar me shkelje të mëdha procedurale të cilat kanë vështirësuar punën e mbrojtjes.
“Procedura ka shkuar në mënyrë jo të mirë për arsye se procesi është shoqëruar nga shkelje të mëdha procedurale të cilat e kanë vështirësuar jo vetëm punën tonë por edhe kanë penguar realizimin e të drejtave të personave që janë para kësaj gjykate. Kryesisht kemi pasur të bëjmë me mocione preliminare ku kemi kundërshtuar juridiksionin e kësaj gjykate në kuptimin që, juridiksioni ashtu siç është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, është tejet i kufizuar, pra çfarëdo vepre penale që ndiqet penalisht atje duhet të jetë e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejt me pretendimet e Dick Martyt, përkatësisht me krimet që pretendon se i ka identifikuar aty. Ndërsa nëse e keni parë aktakuzën, aktakuza është jashtëzakonisht e gjerë pothuajse përfshin çfarëdo dhe njëfarë mënyrë i humb efekti special i kësaj trupe”, thotë Pallaska.
Avokati i Thaçit thotë se nuk ekziston asnjë kusht për mbajtjen e tij në paraburgim.
Sipas tij, ani pse Thaçi dhe të tjerët janë dorëzuar në mënyrë vullnetare, trajtimi atje po bëhet sikur të njëjtit të ishin arrestuar.
“Përkundër faktit që klienti im dhe shumica që gjenden atje janë dorëzuar në mënyrë vullnetare, në rastin tonë ish-presidentit Thaçi ka hequr dorë nga imuniteti kushtetues personal që e ka mbrojtur atë personalisht nga arresti dhe paraburgimi, ai konsiderohet se është arrestuar dhe trajtohet atje sikur të ishte ndonjë person që është kapur në flagrancë duke synuar që t’i shmanget drejtësisë. Në anën tjetër asnjë kusht për mbajtjen e tij në paraburgim nuk ekziston, përkundër kësaj ai mbahet atje me supozime, hipoteza se mund të ndikojë të ndonjë procedurë edhe pse nuk është ofruar deri më tani asnjë provë e vetme konkrete për ta arsyetuar këtë dyshim se ai mund të pengojë zhvillimin e procedurave në mënyrën siç është paraparë me ligj apo që të ndikojë në forma të tjera në këtë procedurë”, thotë ai.
Pavarësisht që ishte hapur mundësia e lirimit me kusht, kërkesat e mbrojtjes janë refuzuar dhe Thaçi dhe të tjerët me vendim të gjykatës mbetën në paraburgim.
“Ka qenë një përvojë e pakëndshme, mosbesimi është i tmerrshëm, nuk përkon me realitetin në Kosovë, mosbesimi jo vetëm ndaj klientit tim i cili ka treguar deri më tani gatishmëri, e ka themeluar vet gjykatën, është dorëzuar, ka hequr dorë nga imuniteti nga të gjitha pozitat, mirëpo edhe ndaj vet shtetit të Kosovës. Paradoksin më të madh që e kemi parë, edhe pse është shumë vështirë ta dallojmë një paradoks sepse ka po thuajse çdo ditë paradokse, është se Policia e Kosovës trajtohet sikur të ishte ndonjë kompani private që duhet të ofrojë garanci për vullnetin e vet për të përmbushur apo për të zbatuar urdhrat e gjykatës. Ne e dimë që Policia e Kosovës është një institucion publik që e ka detyrim ligjor dhe kushtetues që të përmbarojë urdhrat e gjykatës”, thotë Pallaska.
Sipas tij, nëse janë plotësuar kushtet ligjore për lirim me kusht, kapacitetet e Policisë së Kosovës nuk mund të jenë arsyetim që dikush mos të lirohet me kusht.
Ai shton që shteti duhet t’i furnizojë kapacitetet në mënyrë që të zbatohet ligji.
“Ish-presidenti Thaçi ka pasur nevojë edhe të heq dorë nga disa të drejta të veta kushtetuese, për shembull me sistemin e monitorimin në njëfarë mënyre, edhe vendi ku është propozuar lirimi i tij me kusht në Kosovë i ka përngjarë më shumë një burgu, për nga rreptësia e mbikëqyrjes se sa një arresti shtëpiak konvencional. Dhe normalisht për t’u realizuar ky aranzhman i propozuar, ish-presidenti Thaçi është dashur të heq dorë nga disa të drejta të veta kushtetuese, për shembull monitorimi i lëvizjeve të tij brenda, jashtë e kështu me radhë, mirëpo as kjo nuk ka qenë e mjaftueshme, dhe kjo në mënyrë indirekte e ka vërtetuar që i gjithë diskutimi lidhur me kushtet është i kot, është i pakuptimtë, sepse paragjykimet që ekzistojnë ndaj Kosovës si shtet, ndaj aftësive të institucioneve tona ligj zbatuese, janë arsyeja kryesore pse ata mbahen atje”, thotë ai.
Pallaska përmend rastet e gjykimeve të ish-oficerëve dhe zyrtarëve serbë që janë gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi e të cilët ishin liruar me kusht në bazë të garancive të Policisë së Serbisë, ani pse e njëjta, shton ai, ishte vet pjesë aktive e krimeve që ishin objekt i aktakuzës në atë kohë.
Ndërsa e sheh absurde që tani një gjykatë që është pjesë e sistemit të Kosovës nuk po i besohet policisë së këtij shteti e cila konsiderohet model dhe partner i besueshëm nga ndërkombëtarët.
“Është totalisht aktakuzë apo lëndë që ka shmangie nga realiteti, përzgjedhje selektive jashtë konteksti të disa ngjarjeve e që kanë rezultuar me një shpërputhje logjike. Njerëzit që kanë pak kujtesë në 20 vitet e fundit nuk mund ta lidhin atë që pretendohet që ka ndodhur aty dhe me të vërtetë mendoj që është ndoshta edhe lënda më e dobët që ka ekzistuar në gjithë këtë historinë që kemi pasur këtu, qoftë në jurispodencën e UNMIK-ut, qoftë Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi, pastaj EULEX-it e kështu me radhë. Në fakt shumica e pretendimeve vetëm kanë rënë nga këto gjykata, siç e dimë zoti Haradinaj është liruar, zoti Limaj është liruar, tash si është e mundur që në nivelin e komandantit të zonës të vërtetohet që nuk ka bazë për fajësi e të pretendohet që në nivel më sipër ekziston përgjegjësia”, thotë ai.
Pallaska thotë se numri i dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria është i pamenaxhueshëm ndërsa shton që në bazë të kësaj llogaritet që për pesë vjet e gjysmë të përfundojë vetëm shkalla e parë.
“Kemi një regjim të pashembullt të mbrojtjes së dëshmitarëve, të redaktimit të informatave jo vetëm për publikun e gjerë por edhe në raport me mbrojtjen edhe të akuzuarit atje, redaktime të natyrës banale, nuk dihet as kur, kush, kujt, çka i ka bë, secili aspekt i një pretendimi është i redaktuar që nuk ka mundësi askush me u mbrojt ndaj një akuze të panjohur”, thotë Pallaska.
Avokati Pallaska thotë se prokuroria ka ngritur aktakuzë pa qenë e gatshme plotësisht, e çka sipas tij, paraqet një joseriozitet nga ana e tyre.
“Prokuroria e ka dorëzuar aktakuzën e vet tash më shumë se një vit e gjysmë, është konfirmuar më shumë se një vit, ndërsa ende hetimet vazhdojnë. Kush bën hetime për një aktakuzë për të cilën është i bindur që mjafton t’i dorëzohet gjykatës. Ky është treguesi më i mirë që prokuroria ka qenë tërësisht e papërgatitur dhe dorëzimi i aktakuzës, fillimi i kësaj çështje, ka qenë i ndikuar ndoshta prej çështjeve që nuk janë të natyrës juridike sepse përndryshe një jurist i mirë, cilido qoftë ai, në cilëndo anë që kryen punë, në anën e prokurorisë apo në anën e mbrojtjes, kurrë nuk i dorëzon diçka gjykatës për të cilën nuk është i bindur as vet, e treguesi më i mirë që je i bindur në atë që ke dorëzuar në gjykatë është që ajo është më e mira që e ke pasur. Ndërsa nëse dikush ka dorëzuar diçka papërfunduar punën ajo tregon që ka qenë një produkt gjysmak”, thotë ai.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm./KosovaPress/
Top Channel